Dhuna është një plagë e shoqërisë, por ajo është edhe më e rëndë kur është brenda katër mureve të familjes. Shpeshherë dhuna në familje nuk raportohet, ose denoncohet vetëm kur ajo kalon në ekstremitet.

Pavarësisht vështirësisë së matjes së saj, të dhënat e raportuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, dhe të publikuara nga INSTAT në Vjetarin Statistikor Rajonal, tregojnë se gjatë viteve 2013-2017 ka një rritje të numrit të raportimeve për dhunën në familje.

Fatkeqësisht, gratë janë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje. Gjatë 2017-s, për çdo 10 mijë gra numëroheshin 22.7 gra të dhunuara në rang kombëtar.

Po cilët janë qarqet ku dhuna ndaj grave është më e lartë dhe ku më e ulët (së paku sipas raportimeve)?

Durrsakët njihen si indiferentë, por Qarku i Durrësit ka normën më të lartë të grave të dhunuara. Sipas të dhënave të INSTAT për çdo 10 mijë gra në Durrës kishte 32 gra të dhunuara, apo rreth 11 gra më shumë se mesatarja kombëtare.

Qarku i Durrësit është i përbërë nga 3 bashki të mëdha: Durrës, Shijak dhe Krujë.

Qarku i Vlorës ndjek Durrësin për dhunën ndaj grave. Referuar INSTAT-it në Vjetarin Statistikor Rajonal për çdo 10 mijë banore gra në Vlorë kishte 26.6 gra të dhunuar në 2017-n.

Në kryeqytet, ku dhe mundësia për ta raportuar dhunën është më e lartë, numri i grave të dhunuara për çdo 10 mijë banore gra ishte 26.3, rreth 4 gra më shumë se mesatarja e vendit.

Mbi mesataren kombëtare të dhunës ndaj grave renditen dhe qarku i Beratit me 25.4 gra të dhunuara për 10 mijë banore gra, Korça me 23.8 gra, dhe Lezha me 23.1.

Më pas nën mesataren renditen qarku i Gjirokastrës me 22 gra për 10 mijë banore gra të atij qarku, Fieri me 19.2, Elbasani me 17.1 dhe Shkodra me 15.

Por cilët janë qarqet me nivelin më të ulët?

Dibra dhe Kukësi janë qarqet që kanë nivele të ulëta të dhunës ndaj grave me përkatësisht 8.2 dhe 7.6 gra për 10 mijë banore gra të këtyre qarqeve.

Në krahasim me mesataren kombëtare në Dibër ka 14 gra të dhunuara më pak, ndërsa në Kukës, i cili ka dhe nivelin më të ulët në vend, ka rreth 15 gra më pak.

Sikurse dihet, dhuna në familje është ndër krimet më pak të raportuara dhe më vështirë të evidentuara, por së paku nga statistikat mund të themi se kuksianët dhe dibranët trajtojnë më mirë gratë në krahasim me pjesën tjetër të vendit.