Mbi 20 mijë shqiptarë kanë hyrë së fundmi në Itali duke u pajisur me leje të rregullt qëndrim. Mbi 69 % e tyre kanë kërkuar bashkim familjar, mbi 6% për motive punësimi e mbi 23 % për motive studimi, shëndetësore etj.

Ministria italiane e Punës dhe Çështjeve Sociale ka publikuar raportin me të dhënat e fundit zyrtare mbi karakteristikat e shtetasve të huaj në sistemin italian të punës.

Aktualisht në Itali jetojnë 5 milion e 144 mijë shtetas të huaj e 440 mijë janë shqiptarë. Ata renditen të dytit në numër pas komunitetit të emigrantëve rumunë që janë mbi 1 milionë e 190 mijë.

Statistikat zyrtare të raportit ministerial të Drejtorisë së Përgjithshme të Emigracionit e të Politikave të Integrimit informojnë se ka një rritje të numrit të lëshimit të lejeve të qëndrimit për shtetasit e huaj që kërkojnë të jetojnë në Itali.

Kërkesat e shtetasve shqiptarë për t’u pajisur me dokumenta të rregullta janë rritur me 7.8 % në krahasim me një vit më parë. Sipas të dhënave të fundit janë 20 013 shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi, 69.8% e tyre për motive familjare (bashkim familjar). 6.3% për motive punësimi e 23.9 % për motive të tjera (studimi, mjekësor etj).

Sa i takon pjesëmarrjes së shtetësave të huaj në sistemin italian të punës, Raporti i Ministrisë së Punës dokumenton se është rritur numri i shtesave të huaj komunitarë e ekstra komunitarë të punësuar.

Rreth 54% e emigrantëve shqiptarë në Itali janë të punësuar.