Kryetarja e grupit demokrat në Kuvendin e Shqipërisë Rudina Hajdari edhe në seancën e sotme e vendosi theksin te tryeza e OSBE-së për reformën zgjedhore dhe ndryshimin e sistemit elektoral.

Ajo tha se kjo është beteja e opozitës parlamentare, për të zhbërë marrëveshjen e 2008 në mënyrë që mos vendosin më dy njerëz për deputetët në Kuvend, por qytetarët.

“Rregullorja e re ka sjellë këtë risi, që në një seancë të flasim për zgjedhësit tanë. Jo shumë larg, javën që kaloi udhëhoqëm një tryezë gjithëpërfshirëse me shumicën, partitë jashtë parlamentit dhe shoqërinë civile për ndryshimin e sistemit.

Kjo është beteja e drejtë, është momenti i duhur për të ndryshuar sistemin për të parë një kuvend që përfaqëson më mirë Kuvendin. Edhe socialistët ti bashkohen. Marrëveshja e 2008 është ajo që opozita parlamentare do të zhbëjë dhe të fundosë në fund të historisë, pasi ka mbajtur vendin peng, pasi 2-3 individë nuk lëshojnë pe. Kjo kauzë e drejtë do të marrë udhë, do të luftojmë deri në fund.

Ne duam të ndalojmë të inkriminuarit nga pushteti, të ndëshkojmë ata kryetarë partish që kanë futur njerëz të lidhur me krimin dhe e kanë çuar cilësinë e deputetit në një nivel që nuk e ka parë në 30 vitet e fundit.

Reforma zgjedhore nuk ka të bëjë vetëm me rekomandimet e OSBE-së, por nuk do të jetë e vetmja pikë, presim një paketë më të madhe, që ndryshimi i sistemit zgjedhor të ndodhë sot. Presim që socialistët ti bashkohen kësaj nisme. Ne duam që shqiptarët të vendosin për Kuvendin, pasi do të jenë më llogaridhënës më pas dhe më të pavarur ndaj mendimeve të tyre.

Është një nismë e madhe, do të bëjë shumë…nga deputetët tanë, por kjo është beteja jonë. Ndjesë nëse e shfrytëzova këtë moment për të folur për sistemin zgjedhor, por u detyrohemi qytetarëve.

Ky kabinet qeveritar pavarësisht se përbëhet nga gratë, por nuk kanë shumë pushtet, pasi vendosen për të krijuar disa hapësira boshe që pushteti të koncentrohet vetëm te një njeri. Ne jetojmë në një shoqëri tepër maskiliste. Përsa i përket cështjes së klimës që përmendi Rama në OKB, këtu pobëhet ndotja më e madhe” tha ajo.