Tre përfaqësues të opozitës së re parlamentare janë shprehur pro marrëveshjes për reformën zgjedhore, që u arrit në 5 qershor mes palëve politike. Në një deklaratë nga jashtë Kryesisë së Kuvendit, deputeti Artur Roshi deklaroi se bashkë me disa deputetë, ata do japin votën pro marrëveshjes, pasi është dhe një nga kushtet e Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave me BE.

“Është një marrëveshje e mbështetur nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë. Për sa i përket prekjes së Kushtetutës, ajo përmbledh të drejtat natyrore të qytetarëve. Ajo është simbol i unitetit dhe emocioneve ndërkombëtare dhe ndërhyrja nuk duhet bërë në mënyrë të njëanshme. Partia Balli Kombëtar është një parti e hapur dhe ne kemi dalë gjithmonë mbi veten. Ne do të jemi pro kësaj marrëveshje, ne nuk morëm atë që deshëm, por është ajo që i duhet vendit. Ne para integrimit nuk mund të zgjedhim një rrugë tjetër, pasi ajo është kusht për hapjen e negociatave.”, tha ai.

Ndërkohë, Troplini pohoi se Shqipëria ka vetëm dy rrugë për të ndjekur, BE dhe SHBA.

“Marr përsipër që të flas në emër të Ballit Demokrat Kombëtar. Që është formuar që në diktaturë. Ne kemi mbijetuar dhe kemi shuar përtej detit. Strategjia drejt BE dhe SHBA, janë dy rrugë. Nëse ka debat mes opozitës dhe maxhorancës, çdo kush duhet të tolerojë diçka dhe të heq dorë nga diçka. Kjo është një nga pikat e BE dhe Bundestagut”, tha ai.

Pro marrëveshjes ishte dhe deputetja Fatjona Dhimtri, e cila pohoi se çështja e koalicioneve është lojë e Ramës, ndërsa shtoi se konsensusi për këtë reformë është kusht për çeljen e negociatave.

“Si deputete e Kuvendit të republikës se Shqipërisë theksoj se çështja e koalicioneve, është lojë e Edi Rama. S’jam në Kuvend për të mbështetur Edi Rama. Jam në opozitë me Edi Ramën. Besoj tek Europa dhe nuk mund të pengoj integrimin e vendit, një marrëveshje e mbështetur nga ndërkombëtarët. S’mbahen peng nga Rama. Konsensusi për reformën është i vetmi kusht për negociatat”, pohoi Dhimitri.

Artikulli paraprakSHKARKIMI I AMBASADORES, BALLA: TË VIJOHET EDHE ME SELITË E TJERA DIPLOMATIKE! PUSHOHET HETIMI PËR HOBDARIN PËR SKANDALIN E PASAPORTAVE
Artikulli tjetërVLLAZNIA NËNSHKRUAN MARRËVESHJE TË RE SPONSORIZIMI