Regjisori nga Austria Alois Galle ka nisur punën për të sjellë në teatrin “Migjeni” një dramë të Artur Shcnitzler. Regjisori austriak po punon me trupën e aktorëve të teatrit “Migjeni”.

Ai tregon se pjesa e përzgjedhur është sensitive sepse ka të bëjë me dashurinë dhe raportet njerëzore…

“Pjesa është nga Artur Schnitzler dhe ka të bëjë me humbjen e raporteve njerëzore, kërkimin për dashurinë dhe si në shumicën e rasteve kjo gjë nuk funksionon për humbjen që ka njeriu dhe nevojën e tij për përkujdesje dhe për një strehë shpirtërore.

Kjo gjë përsëritet në të gjitha skenat e kësaj pjese për në forma të ndryshme dhe mënyra të ndryshme. Përmes kësaj vepre duam të tregojmë që njerëzit kur përfshihen në një lidhje, në një marrëdhënie, nuk përfshihen me atë idenë që ka për të mbaruar shpejt.

Kjo nuk është normale edhe pse ndodh që të mbarojë. Të gjithë i fillojnë lidhjet dhe marrëdhëniet me njerëzit me shpresën që këtë herë ka për të funksionuar dhe se kanë për të gjetur dikënd që mund t’i qëndrojë metamam afër dhe se nuk kanë për të patur më nevojë që të vijojnë kërkimin e tyre”.

Për regjisorin austriak nuk është hera e parë që vjen në Shqipëri. Ai thotë se ndodhet në Shkodër me veprën e Shcnitzler në kuadër të vitit të shkëmbimit kulturor mes Shqipërisë dhe Austrisë.

“Nuk është hera e parë që vij në Shqipëri. Përsa i përket projektit që po bëj, mua më ka ftuar ambasada austriake në kuadrin e vitit të shkëmbimit kulturor Shqipëri-Austri.

Mua s’do më kishte shkuar në mend që ta vendosja këtë pjesë faktikisht por kur ma sugjeruan unë lexova dhe pavarësisht se mund të duket si një pjesë që tregon atë natyrën e Austrisë nuk është e tillë.

Përderisa është për dashurinë, raportet njerëzore dhe kërkimin e njerëzve për të gjetur dashurinë i kalon përmasat e Austrisë. Unë e kam me shumë qejf këtë pjesë dhe shpresoj që edhe publiku këtu në Shkodër ta shijojë dhe kënaqet kur ta shohë”.

Drama për të cilën sapo ka nisur puna do të vijojë për publikun në teatrin “Migjeni” në fillim të shtatorit. “Reigen” është emri i veprës por ende nuk është përshtatur me gjuhën shqipe ndërsa po mendohet jo vetëm për emrin por edhe detaje të tjera.

Artikulli paraprak“AHENGU SHKODRAN NË PERIUDHËN SOCIALISTE”
Artikulli tjetërKRAJA: “VLLAZNIA B” NUK DO SHKRIHET