‘Bindja Demokratike’, partia e re e ish-deputetit demokrat Astrit Patozit regjistrohet në gjykatë si parti politike, ndërsa nuk ka vonuar shumë edhe hapi tjetër teksa ka dorëzuar kërkesën zyrtare për t’u regjistruar edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Mendohet se pjesë e partisë së re janë bërë disa prej figurave që kanë qenë pjesë e rëndësishme e Partisë Demokratike. Po kështu mësohet se për të qenë pjesë e saj janë ftuar edhe të tjerë të larguar dhe të pakënaqur nga PD.

Fillimisht u përfol që pjesë e saj do të ishte edhe deputetja demokrate, Rudina Hajdari, e cila gjatë ditës së djeshme përmes një reagimi zyrtar në faqen e saj të “Facebook” hodhi poshtë këto zëra.

Kujtojmë se që në fillim të vitit të kaluar, Patozi pati një tentativë për krijimin e një partie të re duke zhvilluar madje takime me demokratë dhe të pakënaqur në disa qytete.

Themelues të Partisë Bindja Demokratike janë
Astrit Patozi
Fabian Topollaj
Arben Skënderi
Leonard Olli
Andi Përmeti
Ardjan Kollozi

Partia e re e Patozit, e krijuar nxitimthi, do të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 Qershorit.Kujtojmë se Patozi njihet si një kritik i ashpër i Lulzim Bashës, pas vendimit të kryetarit të PD-së, për të mos e përfshirë atë në listën e kandidatëve për deputet.

Kjo parti krijohet në kohën kur vendi ndodhet në një krizë të thellë politike. Opozita dhe aleatët e saj, janë zotuar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje, nëse nuk largohet kryeministri Edi Rama dhe të krijohet një qeveri tranzitore.