Bilanci dhe situata e COVID-19 në vendin tonë vijon të jetë mjaft serioze, teksa për të dytën ditë me radhë në spitalin Infektiv në QSUT kanë ndërruar jetë 4 pacientë. Viktima janë tre gra dhe një burrë, dy prej tyre 57-vjeçare nga Shkodra dhe Dibra, një pacient 75 vjeçar nga Durrësi dhe një paciente 81 vjeçare nga Tirana. Ministria e Shëndetësisë deklaron se situata në spitalin infektiv vijon të paraqitet e rënduar.

Në 24 orët e fundit ka shtim të pacientëve edhe të moshave të reja. Aktualisht janë të shtruar 72 pacientë në spital, 8 janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 420 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 83 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 38 raste në Tiranë, 12 në Berat, 6 në Durrës, nga 4 raste në Shkodër, Elbasan, Vlorë, 3 raste në Krujë dhe Kukës, 2 raste në Urën Vajgurore dhe Përmet, nga 1 rast në Lezhë, Mirditë, Gjirokastër, Bulqizë, Himarë. Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 65 qytetarë, duke e çuar në 1946 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1415 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të jenë të kujdesshëm në zbatimin e protokolleve të sigurisë.

Respektimi i distancës, vendosja e maskës, higjiena vetjake dhe kolektive janë mënyrat e vetme për të frenuar përhapjen e COVID19. Më shumë kujdes, edhe gjatë pushimeve dhe sezonit turistik. Mos e uleni vigjilencën dhe respektoni rregullat e higjienës. Pastrimi dhe dezinfektimi duhet të zbatohen me rigorozitet në bare, restorante, shezlongje dhe në çdo ambient.

Stafi i shërbimit në kontakt me pushuesit apo vizitorët duhet të mbajmë domosdoshmërisht maskë. Nëse dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127. Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID19” mbyllet apeli i Shëndetësisë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 591
Durrës 223
Shkodër 180
Vlorë 113
Lezhë 63
Fier 29
Kukës 43
Korçë 32
Elbasan 36
Berat 39
Gjirokastër 25
Dibër 18