Raporterët e Komisionit të Venecias kanë përfunduar në mbrëmje takimet në Tiranë për paketën e ndryshimeve kushtetuese të refiormës në drejtësi.

Raporterët takuan më herët edhe Ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani. Në njoftimin që Ministria e Drejtësisë ka përcjellë thuhet se u diskutua mbi rolin e Ministrit të Drejtësisë në raport me sistemin gjyqësor si dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Gjithashtu gjatë diskutimit me rëndësi u cilësuan edhe çështjet që lidhen me procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa është folur edhe mbi parimin e karrierës dhe rekrutimin e tyre. Axhenda dy ditiore e reporterëve ka nisur dje në orën 11:00 me takimin me ekspertë të nivelit të lartë vendas dhe të huaj të Komisionit të Posaçëm për reformën në drejtësi. Takimi zgjati për rreth dy orë dhe mësohet se ekspertët e nivelit të lartë kanë njohur raporterët me mendimet e tyre për çështje të ndjeshme, si votimi i anëtarëve të institucioneve të drejtësisë. Burime nga brenda takimit, thanë se për votimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, raporterët e Venecias nuk kanë dhënë një mendim, por ata kanë dhënë propozime për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë dhe Këshillin Gjyqësor. Sipas raporterëve, dy anëtarë të Këshillave duhet të jenë propozim i opozitës, ndërsa tre të shumicës qeverisëse. Pas takimit deputeti  i PD-së, Eduard Halimi, tha se raporterët e Venecias kanë shprehur shqetësim pse nuk pati dakordësi në hartimin e draftit. Nesër në përmbyllje të axhendës së tyre Grupi i Reporterëve të Komisionit të Venecias, në ora 19:00 do të ketë një konferencë për shtyp. Opinionin përfundimtar mbi draftin e rishikuar Komisioni i Venecias do ta përgatisë gjatë muajit shkurt dhe ai do të prezantohet në mars.

Artikulli paraprakBLUSHI: OPOZITA E SOTME SKA MORAL TË FLASË PËR 21 JANARIN
Artikulli tjetërGREQI, PROTESTA TË FERMERËVE, 6000 TRAKTORË NË RRUGË