Të paktën 100 njerëz mendohet se kanë vdekur pasi reshjet rekord të shiut kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu në Japoninë perëndimore, raporton një zëdhënës i qeverisë.

Më shumë se 50 të tjerë rezultojnë të humbur, raportoi Japan Times. Dy milionë njerëz janë urdhëruar që të evakuohen pasi lumenjtë kanë dalë nga shtrati.

“Ne kurrë nuk kemi përjetuar këtë lloj shiu më parë,”-tha një zyrtar i motit.

Ekipet e shpëtimit rifilluan kërkimin e tyre mëngjesin e së hënës, përmes baltës, për të gjetur çdo të mbijetuar dhe trupat e atyre që humbën jetën.

Një zyrtar në Okayama tha për agjencinë e lajmeve AFP se niveli i ujit po bie gradualisht dhe se ekipet emergjente do të jenë në gjendje të hyjnë në zonat më të goditura më këmbë.

Shumica e vdekjeve kanë ndodhur në prefekturën e Hiroshimës.