Në qarkun e Shkodrës duket se hapësira e zonave të përmbytura do të zgjerohet. I gjithë territori i vendit është përfshirë nga reshje intensive shiu gjatë orëve të fundit dhe sipas Institutit të Gjeoshkencave, reshjet do të shtohen edhe gjatë ditës së sotme duke bërë që prurjet në lumin Drin dhe atë të Bunës të shtohen.

“Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta. Sot (e diel, dt.18) në basenin Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës do të vazhdojë të ketë RRITJE të niveleve të ujit dhe rritje të hartës së përmbytjeve”, thuhet në njoftimin e një dite më parë të IGJEUM.

IGJEUM thotë se do të vazhdojë rritja e prurjeve edhe gjatë ditës së sotme në pjesët malore të basenit duke përfshirë edhe hidrocentralet mbi lumin Drin.

“Nesër nivelet në pjesën e Ultësirës së Nën Shkodrës do të vazhdojnë të rriten për shkak të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Drin në drejtim të Lumit Buna. Parashikimet e IGJEUM për ditët në vazhdim tregojnë RRITJE TË PRURJEVE DHE NIVELEVE përgjatë datave 20, 21 dhe 22 mars 2018. Pritet ZGJERIM I HARTËS SË PËRMBYTJEVE në pjesën e Nën Shkodrës dhe përmbytjes të zonave periferike të qytetit të Shkodrës në afërsi të Liqenit”, thuhet në njoftim.

Në pjesën tjetër të territorit përgjatë ditëve në vazhdim parashikohet rritje e ndjeshme e prurjeve duke rritur rrezikun nga përmbytjet në gjithë pjesët fushore të lumenjve.

Artikulli paraprakALARMI,SOT DROGA E KORRUPSIONI, PO NË 2050 Ç’RREZIKON SHQIPËRIA?
Artikulli tjetërNIVELI I UJIT NË VENECIA, REKORD PËR 2018-N