Voda: Procedim kompanive turistike që abuzojnë me azilkërkimin. Prononcimi i Zv/ministres së Brendshme Rovena Voda në Aeroportin e Rinasit pas riatdhesimit të azilkërkuesve nga Franca dhe Gjermania.

“Vetëm gjatë muajit nëntor janë riatdhesuar 500 shtetas shqiptarë të kthyer nga shtete si Franca, Belgjika dhe Gjermania. Sigurisht numri është në rritje, operacionet e riatdhesimit dhe kthimit në atdhe të shtetasve shqiptarë janë në rritje, pasi kërkesat për azil të shtetasve shqiptarë kanë shansin zero për t’u pranuar. E theksoj sërish që Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta dhe mundësitë për shtetasit shqiptarë për të kërkuar azil janë zero. Por ndërkohë, Policia e Shtetit po punon edhe në një plan tjetër, përveç forcimit të masave të kontrollit kufitar, të cilat janë shumë të rëndësishme. Policia e Shtetit po merret edhe me investigimin e disa operatorëve turistikë apo individëve të cilët nëpërmjet dokumenteve false kanë mundësuar udhëtimin e shtetasve shqiptarë jashtë kufijve të territorit të Republikës së Shqipërisë me qëllimin për të kërkuar azil. Gjithashtu po heton edhe për ata shtetas të cilët shtyn individë, pra shtetas shqiptarë për të kërkuar azil. Kemi një numër operatorësh turistikë të cilët ne i kemi hetuar dhe dosjet përkatëse i kemi dërguar në Prokurori. Policia do të vazhdojë punën e saj në këtë drejtim.

Ministria e Brendshme, në bashkëpunim edhe me organizatën ndërkombëtare IOM po punon në një projekt në të gjithë Shqipërinë. Një projekt të shtrirë në të 12 qarqet e vendit, ku logoja është “Zgjidhni mundësinë dhe jo të drejtën për të kërkuar azil”. Besoj se pas gjithë këtyre operacioneve të riatdhesimit, numri të madh të shtetasve shqiptarë të kthyer në territorin e Shqipërisë, është i qartë mesazhi se nuk ka asnjë mundësi që shtetasit shqiptar të gjejnë rrugën më të lehtë për të migruar, atë të kërkimit të azilit. Pra, nuk është e mundur. Policia e Shtetit e theksoj edhe një herë, do të vazhdojë në përputhje të plotë me detyrat që i ngarkon ligji për Policinë e Shtetit, të rrisë dhe të kontrollojë masat e kalimit të shtetasve shqiptarë në të gjitha pikat e kufirit në Republikën e Shqipërisë edhe në Aeroportin e Rinasit, por do të vijojë më tej edhe me investigimet që unë përmenda pak më lart të të gjithë operatorëve turistikë, individëve apo shoqatave që lëshojnë dokumenta false, për të mundësuar në mënyrë të padrejtë dhe të jashtëligjshme udhëtimin e shtetasve shqiptarë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Artikulli paraprakPO MONTONTE ASHENSORIN BIE NGA LARTËSIA, VDES 28-VJEÇARI
Artikulli tjetërMOTI, PREMÇI: TË PREMTE E TË SHTUNË, INTENSIFIKIM I RESHJEVE