578 skelete të ushtareve grek të rëne në luftën italo-greke janë rivarrosur në manastirin e grykes së Këlcyrës në një ceremoni larg syrit të medias dhe nën masa të rrepta sigurie.

Varrosja e skeleteve të nxjerr në Dragot të Tepelenës ka përfunduar dhe ekspedita e zhvarrimit të eshtrave të ushtarëve grekë, do të vazhdojë në fshatin Kosinë afër Përmetit.

Ka qenë kjo kërkesë e bërë nga ana e palës greke. Thirrja e organizatave nacionaliste dhe patriotike shqiptare për t’u tubuar në manastirin e Këlcyrës duke ndaluar këtë proces, kishte vënë në alarm jo vetëm autoritetet greke,

por edhe ato shqiptare, pasi kishin përqëndruar forca të shumta policore në zonën rreth e rrotull varrezave ku prehen eshtrat e 700 ushtarëve grekë të rënë gjatë konfliktit italo-grek në Luftën e Dytë Botërore.

Por alarmi ishte i kotë pasi asnjë këmbë patrioti, parrulla apo flamuj me simbole kombëtare shqiptare, nuk u pa në vendin ku po zhvillohej ceremonia. Kanë qenë gati 578 kuti metalike të mbushura me eshtra të ushtarëve grekë, të cilat janë vendosur në varrezat murale dhe ato tokësore në Manastirin e Këlcyrës.

Ato janë transportuar nën masa të forta sigurie nga fusha e Dragotit ku ishin grumbulluar dhe fillimisht janë depozituar në oborrin e manastirit ortodoks të mbuluara me flamurin grek.

Funksionarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme Greke, ambasadorja greke Elenis Surani, kreu i PBDNJ Vangjel Dule, kanë qenë autoritetet më të larta përfaqësuese në ceremoninë e organizuar sot duke shmangur njëkohësisht kontaktin edhe me mediat arsyet e të cilës ngelen ende të paqarta.

Ndërkaq mësohet se puna në parcelën e fushës së Dragotit ka përfunduar dhe ekspedita e zhvarrimit të eshtrave të ushtarëve grekë, do të vazhdojë në fshatin Kosinë afër Përmetit,

ku sipas komisionit dypalësh, rezultojnë të groposura dhjetëra eshtra që i përkasin ushtarëve grekë të rënë në një prej betejave me ushtrinë italianë në vitin 1940.

Artikulli paraprakLIROHET ‘BABALJA’, GJYKATA E PRISHTINËS S’PRANON KËRKESËN PËR PARABURGIM
Artikulli tjetërARRESTOHET SHQIPTARI, TENTOI TË VRISTE BASHKËKOMBËSEN