Të kesh robotë për të bërë pjesët e vështira dhe të lodhshme të punës, është një ëndërr që po bëhet realitet në biznesin e ndërtimit.

Zhvilluesit e teknologjisë së automatizimit thonë se robotika po e transformon industrinë, duke e bërë atë më të sigurt dhe duke i ndihmuar kompanitë të marrin më shumë projekte dhe t’i përfundojnë ato më shpejt.

Ndërtimi është një nga industritë ku kërkohen gjithnjë punëtorë të kualifikuar. Këtu, një anëtar i ri po i bashkohet ekipit të punës për shtrimin e tullave në ndërtimin e një shkolle të re.

Është SAM, shkurt për “Semi-Automated Mason”, një robot i krijuar nga kompania me qendër në Nju Jork, “Construction Robotics”.

SAM mund të vendosë rreth 3.000 tulla në ditë – disa herë më shumë se sa një murator i zakonshëm.

“Shtysa për krijimin e këtij roboti ishte dëshira për të zbuluar teknologji që do të më lejonin të bëja më shumë vëllim pune dhe të plotësoja kërkesat e klientëve të mi,

duke bërë më shumë punë për përballimin e tyre”, thotë Todd Berich, president i kompanisë Berich Masonry.

“Ka projekte me vlerë 1 trilion dollarë për rrugët, urat, shkollat dhe çdo gjë tjetër që duhet të ndërtohet, apo mirëmbahet dhe rinovohet. Por frenuesi më i madh për t’i bërë të gjitha këto është kostoja.

Pra, në se shkurtojmë koston e gërmimeve, nivelimit dhe përgatitjes, atëherë mund të realizojmë më shumë punë për projekte që ka nevojë vendi ynë”, thotë Noah Ready-Campbell, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Built Robotics”.

Automatizimi po riorganizon industrinë e ndërtimit, duke përcaktuar një peizazh të ri, ku njerëzit dhe robotët punojnë së bashku.