AGE KOÇEKU TREGON MOMENTET E FUNDIT ME AUTORIN E VRASJES. “Kërkoi ujë dhe i dhashë për të pirë”. Ky është rrëfimi i Age Koçekut, gruaja që mbajti në shtëpinë e saj Sokol Mjacaj, autorin e vrasjes së dy turistëve çek. Ndërtesa dy katëshe ku u bë arrestimi ndodhet shumë afër shkollës së Grudës ku policia mendoi fillimisht se fshehej 21 vjeçari që kreu vrasjen makabër.

Age Koçeku thotë se Mjacaj nuk ka qëndruar më shumë se 15 minuta në banesën e saj. Gruaja nga Gruda e Re rrëfen çastet e fundit para dorëzimit të tij në duart e policisë. Autori i vrasjes së dy turistëve çek ishte mjaft i qetë. Age Koçeku thotë se ajo vetë nuk ka asnjë lidhje me Sokol Mjacaj. Gruaja që mbajti në minutat e fundit Sokol Mjacaj shprehet se policia nuk kishte dijeni për qëndrimin e tij aty dhe se pas lajmërimit që ka bërë vetë autori për dorëzimin është arritur të arrestohet. Gjatë 4 orëve të aksionit të policisë banorët në fshatin Grudë e Re kaluan momente të vështira sepse autori i vrasjes së dy turistëve çek ndodhej në atë zonë. Ende mbetet e paqartë se ku u fsheh Sokol Mjacaj për më shumë se një orë e gjysëm, nëse ishte dikush që e ndihmoi dhe bashkëpunoi me të deri në momentin e vetëdorëzimit në duart e forcavë të ndërhyrjes së shpejtë. Pas hetimeve pritet zbardhja e plotë e ngjarjes.