Jashtë vendit tonë jetojnë rreth 1,8 milionë emigrantë, nga të cilët shumë prej tyre para emigrimit kanë punuar edhe në vendin tonë. Shumë nga këta emigrantë pas shumë viteve punë tani po i afrohen moshës për të dalë në pension.

Legjislacioni i Sigurimeve Shoqërore i merr në mbrojtje të gjithë emigrantët, kudo ku ata jetojnë. Ata që kanë punuar në Shqipëri dhe që kanë emigruar dhe tani jetojnë jashtë vendit, deri në fund të këtij viti do të dalin në pension, gratë në moshën 60 vjeçe e 10 muaj dhe burrat në moshën 65 vjeç.

Vitet e Punës

Për të përfituar pension, si për personat që jetojnë në Shqipëri, ashtu edhe për ata që jetojnë jashtë vendit tonë, duhen minimalisht 15 vite pune të siguruar, ndërsa për të përfituar pension të plotë pleqërie duhen 36 vite e 8 muaj punë e siguruar.

Të gjitha vitet e punës që njihen si vjetërsi pune për efekt pensioni, llogariten që nga mosha 16 vjeç, si për burrat ashtu edhe për gratë dhe pavarësisht sektorëve ku kanë punuar. Personat të cilët i afrohen moshës së daljes në pension, por që nuk kanë minimumin e nevojshëm të vjetërsisë së punës prej 15 vitesh, nuk përfitojnë pension në vendin tonë.

Para se emigrantët shqiptarë që punojnë jashtë të plotësojnë moshën e caktuar për të dalë në pension, këta persona duhet patjetër që të interesohen pranë Agjencive të Sigurimeve Shoqërore ose personalisht, ose me anë të familjarëve të tyre që jetojnë në Shqipëri. Punonjësit e Agjencive të Sigurimeve Shoqërore, në bazë të dokumenteve të rregullta ligjore, do të bëjnë llogaritjen e viteve të punës.

Kontributet vullnetare

Një kusht tjetër është edhe e drejta që ka çdo person për të paguar kontributet vullnetare të sigurimeve shoqërore, me qëllim që të plotësojë numrin e nevojshëm të viteve të punës që duhen për të përfituar pension në vendin tonë. Për të gjithë, shuma që paguhet për kontributet vullnetare të sigurimeve shoqërore, është e njëjtë. Pra si ata persona që jetojnë në vendin tonë edhe ata që jetojnë jashtë Shqipërisë, paguajnë të njëjtën shumë prej 5.600 lekësh të rinj në muaj.

15 vite pune

Personat të cilët i afrohen moshës së daljes në pension, por që nuk kanë minimumin e nevojshëm të vjetërsisë së punës prej 15 vitesh, nuk përfitojnë pension në vendin tone

5.600 lekë në muaj

Si ata persona që jetojnë në vendin tonë edhe ata që jetojnë jashtë Shqipërisë, paguajnë të njëjtën shumë prej 5.600 lekësh të rinj në muaj.

Italia e Greqia

Në Itali përfitojnë pension sipas legjislacionit italian kur kanë punuar të siguruar për 20 vite në këtë vend, por në moshën 67 vjeç. Në Greqi përfitojnë pension ata që kanë plotësuar shifrën prej 4.500 Ensima, si të thuash 4.500 pikë.

Artikulli paraprakEKSPORTET KTHEJNË TENDENCËN NË RRITJE GJATË KORRIKUT, MINUS SI 7-MUJOR
Artikulli tjetërPARASHIKIMI: BALLKANIN E PRET NJË VJESHTË E TMERRSHME