Sezoni veror dhe rritja e ndjeshme e temperaturave në të gjithë territorin e vendit shton rrezikun e pickimit nga zvarranikët.

Njëri prej tyre është gjarpri, prej të cilit jo pak raste pickimesh regjistrohen përgjatë periudhës së vitit në të cilën ndodhemi.

Sipas shefit të urgjencës pranë Spitalit Rajonal të Shkodrës, Alban Haxhi, janë shtuar rastet e pickimeve, ndërsa nuk ka një hartë konkrete të përcaktuar ku rreziku është më i madh.

Rastet që paraqiten janë si nga zonat bregdetare, po ashtu edhe nga ato malore.

Haxhi tha se lidhja e gjymtyrëve në raste të pickimeve të gjarprinjëve është e gabuar, ndërsa veprimi i parë pas një pickimi duhet të jetë marrja e serumit antiviper në qendrën shëndetësore më të afërt.

Për fat të mirë, Shqipëria, rrezikun nga pickimi i gjarprinjëve e ka vetëm përgjatë stinës së verës. E gjithë kjo për shkak të klimës së ftohtë në stinën e dimrit, periudhë kjo kur zvarranikën janë në gjumin letargjik.