Rritet numri i azilkërkuesve shqiptarë në Holandë.

Autoritetet holandeze, saktësisht Zyra e Statistikave në Holandë, sipas një raporti të publikuar prej saj bën të ditur se, numri i shqiptarëve, që kanë kërkuar azil gjatë muajit shtator arrin në shifra alarmante, krahasuar me një viti më parë.

Sipas të njëjtit raport, mësohet se vetëm gjatë muajit shtator të këtij viti kanë aplikuar për azil mbi 200 shqiptarë, ndërsa në shtatorin e vitit që shkoi, ishin vetëm 12 shqiptarë aplikonte.

Sipas statistikave holandeze, më shqetësuese është edhe fakti se rreth gjysma e azilkërkuesve janë nën 18 vjeç, që do të thotë se shumica e personave që mbërrijnë në Holandë janë familjarë dhe çifte të reja.

Ndërsa në rang viti, përgjatë gjithë 2018-ës, numri i azilkërkuesve arrin në 560. Kjo shifër i bën shqiptarët të jenë grupimi i 5 më i madh i azilkërkuesve në këtë vend.

Mediat holandeze saktësojnë se shqiptarët po e shfrytëzojnë azilin në Holandë edhe për t’u larguar drejt një prej vendeve më të lakmuara prej tyre siç është Britania e Madhe.

Kjo konfirmohet edhe nga ndalimet e shpeshta që policia holandeze bën kryesisht në portin e Roterdamit.