Prej orës 10:00 po zhvillohet seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë. Në rendin e ditës janë disa cështje, mes të cilave dekreti i presidentit për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë, që pritet që të rrëzohet.

Megjithatë debati do të fokusohet te ndryshimet Kushtetuese për Reformën Zgjedhore. Opozita parlamentare refuzoi dje që të votonte në komisionin e Ligjeve paktin e 5 Qershorit, që kaloi në parim, ndërsa dy ditë më parë iu plotësua kërkesa për hapjen e listave, që rrjedhimisht sjellin edhe ndalimin e koalicioneve, që e kundërshton opozita jashtë parlamentit.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u kërkoi deputetëve në sallë në fillim të seancës që të vendosin maskën mbrojtëse. “Ne duhet të jemi të parët për zbatimin e masave dhe nuk ka vend për të neglizhuar ne të parët dhe për të kërkuar nga zgjedhësit se kjo betejë fitohet. Kush është pa maskë në sallë të vendosë maskën, kjo është e para.

Këtë e bën e gjithë bota, gjithë protokolli dhe parlamentet e botës. Edhe krerët e shteteve më të fuqishme takohen dhe diskutojnë online” tha ai, teksa dje qeveria e vendosi që të jetë me detyrim në ambientet e mbyllura.

Ndërkohë që deputeti Korab Lita u shpreh se “Është e kotë të bëjmë mbledhjet online, kur deputetët po rrinë grumbuj në kafe”.Deputeti demokrat Halit Valteri kërkoi rritjen e numrit të testimeve për të parandaluar përhapjen e COVID-it.

“Duke parë situatën tejet të rënduar të COVID-it dhe shtimin e rasteve në spitale, do ju lutesha si drejtues i këtij parlamenti, të bëjmë ligj, VKM apo ctë jetë, sa më shumë testime, të bëhen një mijë apo 2 mijë testime në ditë.

Shqiptarët nuk po i vret vetëm COVID, por pakujdesia dhe frika. Zoti Balla ti bëjë një kërkesë qeverisë që të bëjë 2-3 testime në ditë” tha ai.