Ky është Ermali, 26 vjeç. Prej tetë vitesh ka vendosur t’i përkushtohet besimit në një mënyrë më të plot.

Për të, muaji i Shenjtë i Ramazanit është periudha më e mirë e vitit. Edhe këtë vit, njëlloj si në tetë vitet e fundit ka vendosur të bashkohet me sakrificën për besimin.

Pavarësisht orëve të zgjatura të pranverës që besimtarët myslimanë janë të obliguar të agjërojnë pa ngrënë e pa pirë, për Ermalin, Ramazani është padyshim një moment reflektimi dhe pasurie shpirtërore.

Megjithatë, Ermali kërkon të transmetoj një mesazh për të gjithë besimtarët që nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur muajit të Ramazanit.

Ai apelon të gjithë njerëzit, sidomos të rinjtë të agjërojnë, sepse veprat e mira shoqërohen bashkë me sakrificën e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Agjërimi për një muaj rresht i besimtarëve myslimanë është një ndër pesë shtyllat e obligimeve të islamit, ndërsa obligimet në këtë periudhë shtohen.

Muaji i Ramazanit është më i rëndësishmi në 12 muajt e kalendarit islam, i cili pasohet nga festa e Fitër Bajramit.