RIZGJEDHJA SHIHET SI MUNDËSI PËR TË KANDIDUAR PËR PRESIDENT.Nikola Sarkozi u rizgjodh të shtunën si kryetar i Partisë konservatore franceze, Bashkimi për Lëvizje Popullore, duke fituar 64,5% të votave.

 

Në këtë mënyrë ai hedh një hap të rëndësishëm për rikandidimin e tij për presidencën e Francës në vitin 2017, edhe pse sipas parashikimeve pritej që të merrte më shumë vota.

Herën e fundit që ai u zgjodh në krye të Partisë në vitin 2004, mori 85% të votave brenda partisë e më pas siguroi presidencën e Francës nga viti 2007 në vitin 2012.

Megjithatë, edhe pse u rikthye me bujë të madhe në skenën politike në shtator, popullariteti mes anëtarëve të partisë po dobësohet.

Kundërshtari kryesor i Sarkozisë, Bruno le Mari, mori rreth 30% të votave, një përqindje që konsiderohet e mjaftueshme për ta sfiduar edhe për zgjedhjet e kandidatit për President. Sarkozi mori në total 100 159 vota, ndërsa Le Mari 45 317.

Jashtë zyrave qendrore të Partisë, disa dhjetëra mbështetës të Sarkozisë festonin dhe brohorisnin emrin e fituesit, të cilët besojnë se ai është i aftë të rifitojë mbështetjen e zgjedhësve dhe të rimarrë postin e presidentit të vendit, të humbur ndaj Fransua Holond në vitin 2012.