STOLTENBERG: KOSOVA SOT ËSHTË NJË VEND STABËL DHE I SIGURTË. Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg ka vizituar shtabin e përgjithshëm të KFOR-it, ku ka falënderuar trupat e NATO-s të cilët kanë punuar që Kosova sot është stabile dhe e qetë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg thotë se Forca e Sigurisë së Kosovës është në rrugë të mirë, por zhvillimi i saj është çështje e brendshme e Kosovës. Por, premton se KFOR-i do të vazhdojë të jetë pranë FSK-së dhe të ndihmojë zhvillimin e saj. Ndërsa, rreth terrorizmit, Stoltenberg tha se kjo është çështje e përgjithshme dhe nuk i përket asnjë feje. Ai konfirmoi se janë duke punuar në luftimin e këtij fenomeni. Kreu i NATO-së, Jens Stoltenberg pas takimit që pati me komandantin e KFOR-it, gjeneral major Francesco Paolo Figliuolo dhe trupat e KFOR-it, tha se është vendim i autoriteteve të Kosovës që të vendosin se si do të zhvillohet FSK-ja, e jo vendim i NATO-së.“Po, dhe ne e kemi të njëjtin mendim, të njëjtin përafrim. Ajo çfarë KFORI dhe NATO kanë bërë është përkrahja për FSK-në për t’u zhvilluar dhe për t’i ndërtuar kapacitetet përgjatë mandatit të saj dhe do të vazhdojmë të ndihmojmë. Nuk është vendim i NATO-s, por vendim i autoriteteve vendore së si duan të zhvillojnë FSK-në më tutje”, tha Stoltenberg.Ndërsa, i pyetur rreth terrorizmit, Stoltenberg tha se terrorizmi nuk i përket asnjë feje apo kombi, derisa ata janë duke vazhduar që të luftojnë terrorizmin si fenomen.Kreu i NATO-së, theksoi para ushtarëve të KFOR-it që shërbejnë në Kosovë, se ata janë pjesë e suksesit të madh në NATO-së.Sipas tij, për 16 vite që NATO u vendos në Kosovë, Kosova është sot shumë me ndryshe, është paqësore, stabile dhe me një rritje të theksuar të zhvillimit.