Të gjithë prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore, të cilët për shkak të detyrës së tyre, mund t’u bien në dorë informacione sekrete dhe konfidenciale, duhet të pajisen me certifikata sigurie.

Kështu parashikon udhëzimi i radhës i kryeprokurores së përkohshme Arta Marku, i firmosur disa ditë më parë. Udhëzimi përcakton procedura dhe rregulla për vlerësimin, administrimin dhe ruajtjen e informacioneve sekrete nga njerëzit e Prokurorisë.

Në këtë kuadër, prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore duhet te certifikohen nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar pranë Kryeministrisë si persona që mund t’u besohen informacionet sekrete.

Nga ana e saj, DSIK-ja ka të drejtë të kërkojë informacion nga autoritetet verifikuese dhe institucionet shtetërore që marrin pjesë në procesin e verifikimit lidhur me procedurat e zbatuara, të dhënat dhe dokumentacionin provues lidhur me verifikimin e rrezikut të mundshëm të sigurisë për individët që kanë aplikuar ose janë të pajisur me CSP “Certifikata e sigurimit të personelit” për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar.

Krahas personit, DSIK verifikon edhe familjarët e tij para se të japë ‘OK’ për t’i besuar sekretet. Gjithashtu mund të bëhen intervista me persona të tretë të paanshëm, të cilët njohin të shkuarën dhe aktivitetet e personit që i është nënshtruar verifikimit të sigurisë.

“Prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore dhe punonjësit e tjerë të cilët për shkak yë detyrës mund të kenë akses në informacionin ‘sekret shtetëror’ të marrin masa për plotësimin e dokumentacionin të nevojshëm për pajisjen me certifikatë sigurie në përputhje me kriteret e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 188, datë 04.03.2015 për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit”, thuhet në udhëzim.

Ndërkaq, çdo punonjës i pajisur me certifikatë sigurie, jo më pak se një herë në vit, dihet të nënshkruajë përpara oficerit të sigurisë ose strukturës përgjegjës të institucionit për njohjen e procedurave të sigurimit të informacionit të klasifikuar dhe të përgjegjësive individuale për shkeljen e rregullave të sigurisë.