Prokuroria e Tiranës ka kërkuar në gjykatë zgjatjen me tre muaj të afateve hetimore për çështjen e privatizmit të OSSH tek kompania nga Çekia, CEZ. Kjo lëvizje nga ana e prokurorisë është bërë pasi autoritet e Drejtësisë Kosovare e kanë pasur të pamundur gjetjen dhe më pas pyetjen e shtetasit kosovar Nuel Kalaj.

Dëshmia e tij kërkohej nga prokuroria e Tiranës, në dobi të hetimeve që janë ende të hapura lidhur me çështjen penale që flet për privatizimin e CEZ. Pak ditë më parë prokuroria e Kosovës ka dërguar në adresë të prokurorisë së Tiranës, përgjigjen e letërporosisë se Nuel Kalaj nuk është arritur të lokalizohet dhe gjendet në territorin e Republikës së Kosovës. Sipas përmbajtjes së kësaj përgjigje thuhet se: “…Prokuroria e Kosovës e ka pasur të pamundur pyetjen e këtij personi, lidhur me kërkesat e bëra nga pala Shqiptare…”.

Nisur nga kjo përgjigje, hetimi i prokurorisë për këtë çështje ka mbetur në udhëkryq, pasi pyetja e Nuel Kalaj, ka qënë një nga detyrat kryesore që gjykata e Tiranës i kishte caktuar prokurorisë për të kryer. Në pamundësi për të gjetur dhe pyetur Nuel Kalaj, prokuroria e Tiranës i është drejtuar gjykatës me një kërkesë, duke kërkuar zgjatjen e hetime me tre muaj të tjerë.

Pavarësisht se autoritet kosovare kanë pohuar në përgjigjen e tyre se nuk janë në gjendje të gjejnë Nuel Kalaj, ky i fundit është shfaqur shpesh herë në Kosovë përkrah kryeministrit të këtij vendi, Ramush Haradinaj. Në procedurat e privatizimit dyshohet se është i implikuar dhe djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha. Pak kohë më parë Berisha është marrë në pyetje në prokurori, duke pretenduar se nuk ka asnjë lidhje me akuzat politike që i bëhen për privatizimin e kompanisë energjitike.

Ndërkohë që lidhur me këtë çështje është marrë në pyetje dhe ish-ministri i Ekonomisë Genc Ruli dhe një sërë ish-zyrtarë të tjerë. Prokuroria e Tiranës ka kërkuar të pyesë dhe biznesmenin Nue Kalaj, por për shkak se ky i fundit qëndron në Kosovë, prokurorët dërguan një letërporosi në këtë shtet për të kryer marjen në pyetje të tij. Por pyetja e tij dështoi.

Emri i Shkëlzen Berishës në lidhje me historinë e privatizimit të OSSH nga qeveria “Berisha” tek kompania çeke “CEZ” u lakua për herë të parë nga juristi i OSHEE, Romeo Kara, i cili u shndërrua në dëshmitarin kyç që zbardhi prapaskenat e privatizimit abuziv, me një kosto 400 milionë euro për buxhetin e përbashkët të shqiptarëve. Konkretisht, gjatë seancës së komisionit hetimor për çështjen CEZ, në nëntor të vitit 2016, Romeo Kara tha se mund të kishte lidhje mes Shkëlzen Berishës dhe sekserit Nuel Kalaj, por dëshmitari ka deklaruar se nuk kishte dokumente për këtë pretendim.

“Ka pasur lidhje të forta me kryeministrin e atëhershëm. Ka takuar ministrin Genc Ruli. Ka edhe fotografi të tij me Genc Rulin. Thuhet se ka telefonuar mbi 100 herë ish-kryeministrin Berisha. Nuk është vetëm një e-mail, por janë disa e-maile që unë kam gjetur, të cilat konfirmojmë që ky person merrte përsipër për të negociuar mes shtetit shqiptar dhe CEZ.

Tarifa e suksesit për këtë marrëveshje ishte 3.6 milionë euro, e vendosur në mënyrë të çuditshme për t’u paguar nga ana e fituesit, që ishte CEZ. Thuhet në këtë letër që ky person, në vitin 2011, ka pasur në llogari të tij, 3.6 milionë euro. Thuhet se ka pasur lidhje edhe me të birin e kryeministrit, por nuk ka materiale të plota për këtë”-ka deklaruar Kara para komisionit hetimor.

Ka nje dokument i cili ishte vendimtar që komisioni hetimor për çështjen CEZ të investohej për të hetuar rolin e Shkëlzen Berishën në procesin e privatizimit si dhe të vendoste për ta thirrur ata si dëshmitar.

Bëhet fjalë për një e-maili të ish-drejtorit të CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, i cili i shkruante nëndrejtorit të CEZ-it në Pragë, Tomas Pleskac, rreth takimit të planifikuar me Shkëlzenin dhe ish-kryeministrin Berisha. Sipas e-mailit, Josef Hejsek ishte me Nuel Kalaj në sallën VIP të aeroportit të Rinasit, dhe kishte ardhur në Tiranë për të negociuar me Shkëlzen Berishën dhe Sali Berishën.

Nga përmbajtja e e-mailit del qartë se, Nuel Kalaj është negociatori kryesor i marrëveshjes mes CEZ dhe qeverisë shqiptare. “Me Nuelin sapo mbarova negociatat e tjera. I shpjegova në detaje se çfarë kërkojmë. Takimi me të birin, sipas Nuelit, është shtyrë për nesër pas ardhjes së PM (Kryeministrit). Çfarë duhet të presim nga kryeministri? Sipas Nuelit rezultatet në mënyrë të sigurt do të jenë pozitive dhe në 90 % konkrete.

Ai më siguroi se për kryeministrin po punon një komision ndërministror, i cili në mënyrë të specializuar po trajton problematikën tonë. (Mund t’ju konfirmoj që kam folur me disa anëtarë të komisionit që po merren me këtë marrëveshje)”, shkruan Hejsek.

Komisioni hetimor administroi një llogari bankare të Nue Kalajt, i cili ka marrë nga CEZ transferta bankare mbi 7 milionë euro. Këto shuma i ka tërhequr cash me 16 qershor 2009, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të vitit 2009. “Komisioni hetimor për privatizimin e OSSH tek CEZ ka administruar prova shumë të rëndësishme lidhur person Nuel (Nue) Kalaj i cili sipas dëshmive të deritanishme ka qenë “sekseri” i martesës së qeverisë shqiptare të Sali Berishës me kompaninë CEZ.

Komisioni ka administruar llogari bankare të Nue Kalaj, i cili ka marre nga CEZ transferta bankare mbi 7 milionë euro. Dhe këto shuma më pas i ka tërhequr cash me 16 qershor 2009, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të vitit 2009. Komisioni hetoi pse CEZ i ka bërë këto transferta tek ky individ dhe ku i ka çuar paratë cash Nue Kalaj, mik i ngushtë i djalit të Sali Berishës, Shkëlzen Berisha”-ka deklaruar ish-kryetari i komisionit hetimor, Taulant Balla.

Të kallëzuarit për çështjen CEZ
Sali Berisha, ish-kryeministër, aktualisht deputet
Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit person privat i lidhur me këtë proces privatizimi
Ridvan Bode, ish-ministër i Financave, aktualisht deputet
Florion Mima, ish-ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, aktualisht deputet
Genc Ruli, ish-ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, aktualisht deputet
Neritan Alibali, ish-zëvendësministër në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë

Enno Bozdo, ish-zëvendësministër në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë
Mimoza e Vokshi, ish Drejtore e Përgjithshme e Shërbimeve Tregtare në ish METE
Suzana Guxholli, ish-këshilltare e ish-kryeministrit Sali Berisha
Nue Nik Kalaj, person që ka ndikuar dhe ka negociuar për procesin e privatizimit
Josef Hejsek, ish-drejtor i CEZ në Shqipëri.

Artikulli paraprakU SHPALL ‘NON-GRATA’ NGA SHQIPËRIA, EURODEPUTETJA QIPRIOTE U ARRESTUA NË TURQI NË 2011
Artikulli tjetërSEKRETET E PROKURORISË, ARTA MARKU-VARTËSVE: PAJISUNI ME CERTIFIKATA SIGURIE