Në prangat e Policisë së Shkodrës ka rënë një shtetas dhe janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme lënde narkotike Cannabis Sativa. Arrestimi në flagrancë u bë gjatë një kontrolli të automjetit të shtetasit Genc Nikshiqi, 37 vjeç, banues në lagjen “Kongresi i Përmetit” Shkodër.

Arrestimi i tij u bë pasi në Pikën Kufitare të Muriqanit, në dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë me mjetin tip Benz Furgon, me targa AA591RT, nga kontrolli i ushtruar këtij mjeti janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 24 pako lëndë narkotike Cannabis Sativa, ku pas peshimit rezultoi me peshë 15.5 kilogram.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike, e mbetur në tentativë” parashikuar nga neni 283/a/22 i Kodit Penal.

Në muajt e fundit nuk kanë munguar edhe raste të tjera të kapjes së sasive të konsiderueshme të drogës, të cilat kanë tentuar të kalohen nga pikat kufitare të Qarkut të Shkodrës.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër synon që të luftoj deri në fund kultivimin dhe tregtimin e kanabisit në të gjithë qarkun.