Policia sekuestron katër armë zjarri dhe municione luftarake në një banesë në fshatin Dorëz në Librazhd.

Burimet e Policisë bëjnë të ditur se kishin marrë informacione nga komuniteti se në fshatin Dorëz, Librazhd, në një banesë kishte armë zjarri dhe për këtë organizuan punën për verifikimin e informacionit.

Gjatë kontrollit në territorin e banesës së shtetasit Shaban Hidri, 51 vjeç, banues në këtë fshat, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 armë zjarri ( 2 automatik dhe 2 pushkë), si dhe 140 fishkë luftarakë.

Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Librazhd, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Shaban Hidri për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.