ZëvendësKryeministrja e Republikës së Shqipërisë Znj. Senida Mesi ishte e pranishme në datat 11 dhe 12 Tetor, në Konferencën Ndërkombëtare “DigitalKS”, organizuar në Prishtinë nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Të pranishëm në hapjen e kësaj konference kanë qenë edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Vesili, ZëvendësKryeministri Enver Hoxhaj, Komisionerja për Ekonominë dhe Shoqërinë Digjitale në Komisioin Europian, Mariya Gabriel si dhe përfaqësues të lartë të vendeve të rajonit.

E ftuar në panelin ministror “Digital Economy-the Driver of Economic Development”, ZëvendësKryeministrja e Shqipërisë Senida Mesi që në fillim të fjalës së saj, tha se hapja e negociatave për anëtarësim në BE e më tej procesi i anëtarësimit për të gjithë rajonin nuk mund të jenë të shkëputura nga integrimi digjital dhe ndërlidhja në infrastrukturë e të gjithë rajonit.

 

Për këtë arsye, ajo cilësoi si të nevojshëm bashkëpunimin në fusha prioritare si:
– Infrastruktura;- Transporti dhe energjia;- Ekonomia dhe tregtia;- Inovacioni dhe teknologjia;- Mobiliteti në arsim dhe kërkimi shkencor.

ZëvendësKryeministrja e Shqipërisë u shpreh se kjo ndërlidhje e vendeve të rajonit, ofron një perspektivë për Ballkanin Perëndimor si një vatër e re zhvillimi ekonomik dhe punësimi, ku natyrisht teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, proceset e digjitalizimit dhe inovacionit luajnë një rol shumë të rëndësishëm.

“Ne besojmë se ky integrim progresiv rajonal në këto fusha, por sidomos në atë digjitale do të shërbejë për prosperitetin e qytetarëve tanë, si dhe do të ndihmojë në konvergjencën me tregun evropian, duke e bërë Ballkanin Perëndimor një treg më tërheqës e me potencial zhvillimor.

Kalimi drejt një shoqërie digjitale është një domosdoshmëri në ditët e sotme, për dhjetëra përfitimet që ajo sjell si për qytetarin dhe biznesin, ashtu edhe për vetë shtetin: lehtësi, reduktim kostosh, eliminim i burokracive”, tha Znj. Mesi.

ZëvendësKryeministrja konsideroi se themeli për të ecur më tej në këtë drejtim, është pikërisht aftësimi i të rinjve me kompetencat digjitale, ndërsa tha se Shqipëria po ecën drejt revolucionit digjital duke krijuar mundësi të reja për qytetarët dhe bizneset për të përfituar nga teknologjitë e reja dhe inovacioni.

“Shifrat për përdoruesit e internetit dhe përdoruesit e brezit të gjerë në Shqipëri janë rritur çdo vit me 10-15%, por penetrimi fiks i brezit të gjerë mbetet në nivele ende të ulëta krahasuar me vendet e tjera në rajon dhe me BE”, tha Znj. Mesi.

Lidhur me situatën digjitale në Shqipëri, Znj. Mesi u ndal edhe tek digjitalizimi i shërbimeve publike.

“Përmes kalimit të shërbimeve online në platformën E-Albania ose përmes shërbimeve të integruara ne po luftojmë korrupsionin e vogël dhe ofrojmë më shumë akses, transparencë dhe cilësi shërbimesh.

Reforma vazhdon të thellohet dhe vetëm për 2019, kemi rreth 189 shërbime të reja që do të kalojnë online”, tha ajo.

Mesi ndau me të pranishmit në konferencë edhe lajmin e mirë për vendosjen në Tiranë të Qendrës Rajonale për Inovacionin dhe Teknologjinë, pjesë e rrjetit të qendrave të mbështetura nga Forumi Ekonomik Botëror.

Ky lajm është njoftuar më herët nga Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë në takimin “Dialogu strategjik për Ballkanin Perëndimor” në Gjenevë të Zvicrës.