Nisma e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për transformimin e FSK-në në ushtri të Kosovës, me ç’rast kreu i shtet i ka dorëzuar kryeparlamentarit Veseli draftligjin për ushtrinë e Kosovës, ka shkaktuar bujë në Serbi dhe një lumë komentesh nga qytetarët serbë.

Të gjitha portalet kryesore beogradase, duke përfshirë “B92”, “BLIC”, “Danas”, “Politika”, “Vecernje Novosti”, “Kurir”, “Informer”…., janë vërshuar me komente për nismën e Thaçit, transmeton Telegrafi. Shumica absolute e komentuesve serbë pohojnë se kjo nismë është kryekëput në marrëveshje me fuqitë kryesore dhe se, njëherësh, komentet e sotme nga shtetet e Perëndimit janë një fasadë dhe ndihmesë për kryeministrin serb në largim, Aleksandar Vuçiq, në prag të zgjedhjeve presidenciale në Serbi. Qytetarët serbë thonë se Vuçiq është dëshmuar si një lider me të cilin Perëndimi më së lehti mund të arrijë marrëveshje për çështjet më sensitive për opinionin publik serb. Së fundmi edhe analisti i njohur beogradas, me lidhje të forta me shtetet kryesore perëndimore, ka deklaruar se shndërrimi i FSK-së në ushtrinë e Kosovës është një lajm i mirë për të gjithë rajonin, se është bërë kryekëput në marrëveshje me BE-në, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, dhe se serbët në Kosovë, veçanërisht ata në pjesën veriore të vendit, më shumë i frikësohen kriminelëve lokalë sesa shndërrimit të FSK-së në forcë të armatosur të Kosovës.

Ja disa nga qindra komente në mediat në Serbi:

“Krejt kjo është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit. Vetëm se është e ndjeshme që një gjë e tillë të pranohet në prag të zgjedhjeve në Serbi”, shkruan Nikolla. “Po si jo. Sërish një “spinim” (dredhim) para zgjedhjeve. Tani Aleksandar Vuçiq dëshiron që të dalë hero, sepse do të kundërshtojë fuqimisht, kurse pas ca javësh krejt kjo do të harrohet dhe as që do të përmendet. Problemi është që njerëzit ende po bien në grackën e këtyre spinave”, shkruan Gari. “Ata poshtë (në Kosovë) nuk guxojnë me shku me ble burek pa leje të NATO-s, e lërë më të ndërmarrin këso lloj hapash radikalë. Në vërtetë mund të votojmë për Vuçiqin, por nuk jemi aq të marrë që të besojmë në këtë”, shkruan qytetari me nofkën Millennium. “Për ç’arsye kjo shfaqje?”, shkruan qytetari me nofkën org. “Mund të duket se ata nuk kanë përkrahje publike, por gjithsesi e kanë mbështetjen e fshehur”, shkruan Ris. “Teatër… Të mos pret dikush se nuk e dimë që janë “në lidhje””, shkruan Zox. “Kjo është një përallë për fëmijët e vegjël. SHBA-ja e ka mbështetur ushtrinë e Kosovës”, shkruan qytetari me nofkën Markegjani. “Kjo nënkupton se amerikanët e kanë udhëzuar për këtë veprim. Fakti që amerikanët thonë publikisht se janë kundër kurrfarë rëndësie nuk ka”, shkruan Zhikica. “Me fjalë të tjera, e kemi mbështetjen prej atyre që na duhet”, shkruan Rankoviq. “Mos u lodhni kot, Perëndimi ua ka dhënë atyre dritën e gjelbër, kjo është vetëm një shfaqje”, shkruan Dragan.

Artikulli paraprakNIS PLANI ZBATUES PËR SHOQËRITË CALL CENTER, PROPOZOHET NJË MANOVER E RE
Artikulli tjetërMOTI PËR SOT, I KTHJELLËT