FRIKË PËR PADREJTËSI, SHPRESË TE KAS Sot UEFA do të flasë për herë të dytë për ndeshjen në Beograd mes Serbisë dhe Shqipërisë e zhvilluar më datë 14 Tetor. Komisioni i Apelit pritet të vendosë për ankesat e FSHF-së dhe FSS-së lidhur me vendimet e marra nga Komisioni për Kontrollin, Etikën dhe Disiplinën.

 

 Disiplina vendosi dënimin e Shqipërisë me humbjen e ndeshjes në tavolinë me arsyetimin e refuzimit të rikthimit në fushë dhe 100 mijë Euro gjobë për dronin, që fluturoi në stadium pas ndërprerjes së sfidës nga hedhja e fishekzjarrëve në fushë në minutën e 41 të pjesës së parë.

 Ndërsa Serbia u dënua me zbritjen e 3 pikëve, gjobë 100 mijë Euro dhe 2 ndeshje pa tifozë. Praktikisht një vendim politik dhe absurd, pasi për herë të parë një ndeshje del pa fitues, pasi asnjëri nga të dy ekipet nuk mori pikë.

 Të martën, më 2 Dhjetor zhvillohet raundi i dytë, ku Shqipëria kërkon në Apel ndryshimin e vendimit, 3 pikët në tavolinë dhe anulimin e gjobës. Ndërsa Serbia mbi të gjitha kërkon riluajtjen e ndeshjes me Shqipërinë ose pikët rikthimin e 3 pikëve që iu hoqën.

 FSHF-ja përfaqësohet nga tri studio ligjore në mbledhjen e Komisionit të Apelit të UEFA-s.

 Sipas të gjitha gjasave çështja nuk do të mbyllet sot, por do të vazhdojë deri në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar në Lozanë, pasi cfarë do vendimi që të japë Apeli, është e pamundur që të dy ekipet të mbeten të kënaqura. Shqipëria dhe Serbia kanë deklaruar se do të dërgojë cështjen në KAS për të marrë maksimumin.