SHKAK DOSJA VOLUMINOZE E DORËZUAR NGA TË DY PALËT. Komisioni i Disiplinës së UEFA-s, duhet të merrte një vendim gjatë ditës së sotme, për rezultatin e ndeshjes së 14 tetorit mes Serbisë dhe Shqipërisë, e cila u ndërpre pas incidenteve në fushë, por me sa duket vendimi është shtyrë për nesër.

Burime bëjnë me dije se, vendimi në lidhje me incidentet në takimin e 14 tetorit mes Serbisë dhe Shqipërisë, me shumë gjasa do të jepet këtë të premte.   Mësohet se vendimi është shtyrë për shkak të dosjes voluminoze, ndërkohë që FSHF-ja nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar për vendimin e shumëpritur.

Ndërkohë presidenti i Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) ka dhënë një deklaratë para vendimit të Komisionit të Disiplinës së organizatës më të madhe evropiane për futboll, në lidhje me ndeshjen e ndërprerë midis Serbisë dhe Shqipërisë.  Francezi ka thënë se skenat që ndodhen në stadiumin e Partizanit të Beogradit ishin të turpshme dhe skandaloze, ndërsa ka paralajmëruar se te dyja kombëtaret do të ndëshkohen. 

“Lufta jonë kryesore është që të eliminojmë skena të ngjashme çfarë ndodhën në Beograd. Skenat ishin të turpshme dhe skandaloze. E kam thënë dhe e them prapë, politika nuk ka vend në futboll dhe nuk do të ketë kurrë. Ata që shkaktuan incidentin në Beograd do të dënohen ashpër dhe të dy Federatat të bëhen gati për ti pranuar dënimet” ka thënë Platini

 

Ndërsa në renditjen e përgjithshme botërore të FIFA-s për muajin tetor, pas ndeshjeve të zhvilluara për eleminatoret e Europian “France 2016”, Shqipëria ka humbur 3 pozicioni duke zbritur nga vendi i 45-të në të 48-in me 604 pikë.  Siç duket barazimi me Danimarkën në Elbasan Arena ka ndikuar në humbjen e 3 pozicioneve nga kombëtarja shqiptare.  

Në vendin e parë vijon të qëndrojë kampionja e botës në fuqi Gjermania e ndjekur nga nënkampionët e Argjentinës dhe në vendin e tretë renditet Kolumbia.