Pushimet jo vetëm që nuk i zbutën tonet mes mazhorancës dhe opozitës, por përkundrazi i kanë rritur temperaturat. Ekstremisht të ndarë, larg konsensusit e të frymëzuar nga histori vere, PS, PD dhe LSI do të ulen pasditen e së hënës në parlament për të nisur një vit të ndezur debati që finalizohet me fushatën për zgjedhjet lokale të majit të ardhshëm.

Lëvizjet do të nisin herët në selitë politike. Socialistët do të mbledhin qysh në 9 të mëngjesit Kryesinë e Partisë, e cila veç planifikimit të axhendës politike, do të miratojë dhe rendin e ditës për Asamblenë e së premtes, ku do të jepet vendimi për ndryshimet në qeveri, apo edhe oferta për opozitën.

Demokratët do të mblidhen me aleatët dhe me grupin parlamentar në orën 10 për të përcaktuar marrëdhënien me parlament, marrëdhënie e cila pritet të jetë më e vështirë se deri më tani.Në orën, 12 Gramoz Ruci do të thërrasë mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ku PD e PS pritet të përplasen për shkak të ligjit për teatrin. Sekretaria parlamentare ka parashikuar që dekreti i Metës të hidhet në votim për 13 shtatorin.
Për demokratët më shumë se sa data, ka rëndësi thelbi i ligjit, miratimin për së dyti të së cili Basha e ka quajtur vijë e kuqe që mund të sjellë përplasje sociale.

Ndërkohë, kryefjala e këtij sesioni është reforma zgjedhore, e vetmja çështje për të cilën dialogu PS PD ka vijuar pavarësisht çështjeve të tjera që i përplasnin. Fjalët e fundit të Bashës kanë evidentuar rrezikun se PD mund të largohet dhe nga kjo tryezë dialogu. Lidhjet e mazhorancës me krimin do të jetë argumenti kryesor i opozitës dhe në seancën e orës 17:00, e cila nga ceremoniale, mund të kthehet në një dëshmi tensioni paralajmërues për atë që na pret këtë vit.