SHTOHEN PATRULLIMET, KUFIZOHET QARKULLIMI I MJETEVE TË RËNDA. Sezoni turistik veror dhe fluksi i lartë të lëvizjes gjatë kësaj periudhe të vitit, ka bërë që Ministria e Brendshme përmes Policisë së Shtetit të  marrë masat e nevojshme për t’i ofruar pushuesve vendas e të huaj, kushtet e nevojshme për një turizëm cilësor, në bashkëpunim  me ministrinë e Transporteve, Ministrinë e Shëndetësisë, dhe Ministritë e Turizmit dhe të  Mjedisit.Kështu nga Ministria e Brendshme mësohet se janë vënë në dispozicion të pushuesve 31 stacione të lëvizshme përgjatë gjithë bregut, të cilat do të jenë në gadishmëri të plotë 24 orë në ditë përgjatë 7-ditëve të javës.

Lidhur me qarkullimin rrugor, Ministria e Brendshme ka marrë masat që të gjitha rrugët të jenë të aksesueshme dhe në oraret e pikut punonjësit e qarkullimit rrugor do të jenë nga gadishmëri të plotë për të mënjanuar ngërçet që mund të krijohen. Lidhur me qarkullimin rrugor, një risi vjen nga Ministria e Transporteve, që ka hartuar një plan si edhe vjet për sinjalistikën rrugore, pasi, është shumë e rëndësishme që plazhet dhe destinacionet turistike të jenë të aksesueshme duke bërë të mundur udhëtimin në rrugët e Shqipërisë në mënyrë sa më cilësore dhe sa më të sigurtë.   Në kuadër të masave, Policia bën të ditur se ndalohet qarkullimi në rrugët publike nga ora 09.00 deri në orën 14.00 të ditës së shtunë dhe nga ora 12.00 deri në orën 24.00 të ditës së diel, për mjetet e transportit të mallrave me peshë të përgjithshme të autorizuar mbi 7500 kg, me ngarkesë të pandashme, me gjatësi maksimale më të madhe se 12 m, mjetet rrugore apo bujqësore që kanë shpejtësi më të vogël se 40 km/h, mjetet bujqësore dhe teknologjike që kalojnë përmasat kufitare sipas nenit 61 të Kodit Rrugor.Automjetet e tjera lejohen vetëm në rastet kur për shkak të kohës dhe rrethanave vonesat mund të sjellin dëmë të kosiderueshme materiale. Për çdo problem që ka lidhje me sigurinë e rendit dhe të qetësisë publike si dhe në fushën e qarkullimit rrugor, policia ka vënë në dispozicion numrat pa pagesë 129 dhe 126.

PUBLICITET