Disa detaje të reja kanë dalë pas arrestimit të katër shtetasve në Shkodër të cilët u arrestuan në flagrancë me 100 kilogram marijuanë. Tri prej të arrestuarve shtetasi N.M 45 vjeç A.T 24 vjeç dhe J.N 34 vjeç janë i pari nga fshati Baks dhe dy të tjerët nga fshati Gomsiqe në njësinë Velipojë.

Shtetasi i katërt i arrestuar D.D 41 vjeç është nga Mnela e Vau Dejësit. Sipas burimeve policore këta shtetas kanë një periudhë të gjatë që merren me trafikimin e lëndëve narkotike.

Pas informacioneve të marra në rrugë operative policia vendore e Shkodrës ka vendosur që t’i përgjojë këta shtetas. Për rreth 2 muaj kanë qenë në përgjim por edhe survejim gjatë lëvizjeve të tyre nga forcat e policisë. Katër shtetasit e arrestuar kanë rënë pre e një skeme të përgatitur nga policia.

Keta shtetas sasinë prej 100 kilogram me marijuanë që e kishin në mjetin e tyre tip AUDI ishin bërë gati që ta dërgonin jashtë Shkodrës për ta shitur në një qytet tjetër dhe për të marrë më pas paratë.

Në fakt e gjitha ka qenë një kurth i ngritur nga drejtoria vendore e policisë së Shkodrës. Pasi efektivët janë siguruar se katër shtetasit kanë sasinë e marijuanës atëherë kanë ndërhyrë duke i arrestuar në hyrje të qytetit teksa mjeti tip AUDI bashkë me sasinë prej 100 kg të marijuanës ndodhej në një karburant jofunksional.

Në atë moment të arrestuarit kanë tentuar që të largohen por efektivët i kanë ndjekur dhe për pak minuta janë arrestuar. Sasia prej 100 kilogramësh policia dyshon se është kultivuar një pjesë në Velipojë, një pjesë tjetër në zonat e thella të Dukagjinit pa përjashtuar edhe zonën e Vau Dejësit duke e bërë gati për treg.

Nga sa mësohet katër shtetasit e arrestuar nga forcat e policisë kanë mohuar se kanë lidhje me marijuanën prej 100 kilogramësh që ka sekuestruar policia e Shkodrës si provë materiale.

Po ashtu vijojnë hetimet pasi dyshohet se pjesë e këtij grupi që policia i ka cilësuar si një grup i strukturuar kriminal dyshohet se janë të përfshirë edhe disa shtetas të tjerë. Policia ka dyshime për të paktën edhe 4 persona për të cilët po hetohet dhe në vijimësi mund të arrestohen.