Shkodra ashtu si shumë qarqe të tjera të Shqipërisë gjatë 2016-ës dhe 2017-ës sipas të dhënave zyrtare ka njohur një rritje të numrit të aborteve ndërsa edhe më problematike është situate kur numri i lindjeve ka ardhur në rënie vitet e fundit.

Pavarësisht se në rang kombëtar Shkodra renditet si qarku i 8-të sa i përket raportit të aborteve për 1 mijë lindje sërish shifrat janë shqetësuese duke parë numrin në rritje të aborteve.

Të dhënat zyrtare që vijnë nga sistemi i Institutit të Shëndetit Publik janë publikuar nga revista Monitor. Në Shkodër në vitin 2015 ishin 214 aborte ndërsa në 2016 283 të tilla dhe në 2017 278.

Sa i përket raportit për 1 mijë lindje në Shkodër në 2015 ka patur 101 aborte ndërsa në 2016 137 aborte dhe në 2017-ën për 1 mijë lindje ka 136 aborte. Qarku i Shkodrës ka rreth 300 mijë banorë ndërkohë që nga viti në vit numri i lindjeve është në rënie dhe i aborteve në rritje, një raport me një disbalancë të madhe.

Një shqetësim i tillë për rënien e numrit të lindjeve dhe rritjen e aborteve është bërë i ditur edhe nga Komunitetit fetare në Shkodër teksa për herë të fundit u përmend nga arqipeshkvi i dioqezës Shkodër-Pult monsinjor Angelo Massafra.

Disa mendime rreth kësaj situate problematike në Shqipëri që mund të ndikojë tek numri i popullsisë në të ardhmen duke e lidhur edhe me raportin e emigrimeve të mëdha kanë dhënë edhe ekspertë të ndryshëm.

Sipas tyre zvogëlimi i numrit të fëmijëve përmes abortit ndikon në ekonomi në tkurrjen e konsumit të mallrave për to, si dhe në tkurrjen e popullatës dhe si pasojë, të fuqisë punëtore dhe numrit të taksapaguesve për një shtet. Por, ka edhe një anë tjetër medalje.

Aborti, shpeshherë, shihet si zgjidhje ekonomike për familjet në vështirësi ekonomike, sidomos në rastin e grave të papuna dhe të pasiguruara bën të ditur revista Monitor në publikimin e saj.

Aborti në Shqipëri është bërë i ligjshëm në vitin 1995 por për disa vite situata nuk ishte shqetësuese. Në 5 vitet e fundit familjet shqiptare nisën uljen e numrit të fëmijëve të lindur dhe rritjen e aborteve.

Në 5 vitet e fundit janë 29 mijë aborte në të gjithë Shqipërinë prej të cilave 1220 vetëm në qarkun Shkodër.