Kombëtarja shqiptare e futbollit është rikthyer te fitorja. Me rezultatin 2-0, kuqezinjtë e drejtuar nga Edi Reja mposhtën Moldavinë në stadiumin ‘Elbasan Arena’.Ndeshja u dominua nga vendasit, të cilët goditën më shpesh portën e kundërshtarëve.

Por pavarësisht dominimit që në minutat e para, goli për Shqipërinë u realizua vetëm në minutën e 66, të pjesës së dytë. Ishte Sokol Cikalleshi që shënoi i pari në portën e Moldavisë. Pas një kombinimi fantastik në zonën moldave, sulmuesi kuqezi arriti që të dërgonte topin në rrjetë duke ngritur stadiumin në peshë.

Kur ndeshja ishte pranë përfundimit, Ylber Ramadani dyfishoi rezultatin në minutën e 93, duke i dhënë Shqipërisë një fitore bindëse.Granit Xhaka ndoqi nga afër ndeshjen Shqipëri-Moldavi, së bashku me të atin Ragip Xhaka në stadiumin ‘Elbasan Arena’ mbrëmjen e djeshme që u fitua nga kuqezinjtë 2-0.

Me këtë rezultat, Shqipëria është rikthyer në garën për të siguruar kualifikimin për në ‘Euro 2020’. Ekipi ynë pozicionohet në vend të katërt me gjashtë pikë, ndërsa në tre vendet e para renditen Franca, Turqia dhe Islanda me nga 9 pikë secila.

Ndeshja e radhës për Kombëtaren do të jetë në muajin shtator kundër Francës.Tekniku italian shijon tre pikët por kërkon më shumë nga ekipi, mbi të gjitha në finalizim