SHBA, 13 të vdekur nga zjarret në veri të shtetit të Kalifornisë

Të paktën 10 vetë kanë gjetur vdekjen në Kaliforni nga zjarret që kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha në veri të shtetit, ku ndodhen edhe zonat kodrinore të njohura në mbarë botën për vreshtat dhe kantinat e verës. Zjarret kanë përfshirë sipërfaqe mbi 25 mijë hektarë duke shkatërruar shtëpi, biznese, e vreshta dhe duke detyruar rreth 20 mijë vetë të braktisin banesat. Zyrtarët e shtetit thonë se të hënën zjarret dogjën 1 mijë e 500 shtëpi dhe biznese, ndërsa spitalet njoftuan se më shumë se 100 njerëz kanë kërkuar trajtim, shumica nga thithja e tymit. Numri i viktimave pritet të rritet. Shkaku i zjarreve nuk është ende i qartë, por zjarret spontane në këtë periudhë të vitit janë diçka e zakonshme në shtetin e Kalifornisë; flakët përhapen me shpejtësi në mjedisin e thatë dhe me ndihmën e erërave të fuqishme. Sipas autoriteteve 14 vatra zjarri shpërthyen të dielën vonë dhe flakët u përhapën me shpejtësi në të gjithë rajonin, të nxitura nga era. “Hapa grilat e pashë flakët që kishin përfshirë kodrën prapa shtëpisë. Më kapi paniku, akoma po dridhem. Dola në oborr duke thërritur se kishte rënë zjarri”, tregon një banore. Flakët u përhapën me shpejtësi dhe ekipet e shpëtimit nuk arritën ta kontrollojnë zjarrin por u vunë në lëvizje për të evakuuar banorët. “Erëra me shpejtësi mbi 80 km/orë përfshinë rajonin e Gjirit të San Franciskos dhe rajonin e Luginës së Sakramentos të dielën vonë dhe të hënën në mëngjes duke sjellë përhapjen e vatrave të zjarrit në bimësinë e egër”, tha Drejtori i Shërbimeve Zjarrfikëse për Kaliforninë, Ken Pimlott. Zjarri përfshiu një lagje të qytetit të Santa Rozës duke djegur komplekse shitblerjeje, spitale e banesa. Në Luginën e Napas, të njohur për vreshtat e kantinat e verës u regjistruan vatrat më të mëdha të zjarrit. Për momentin autoritetet mund të përdorin vetëm mjete nga ajri për të luftuar flakët: “Është prioritet kryesor për këtë departament dhe për komunën që të sjellim mjete nga ajri për të na ndihmuar, pasi në këto kushte nuk mund ta përballojmë zjarrin me forma të tjera”, tha Shefi i Shërbimeve Zjarrfikëse për Napan, Barry Biermann. Përpjekjet po mbështeten nga Garda Kombëtare e Kalifornisë. “Kemi dërguar tre helikopterë të ndihmës së shpejtë për evakuime, të cilët po transportojnë viktima të zjarrit duke i dërguar në klinikat e djegies në Kaliforninë veriore. Kemi dërguar edhe helikopterë për të ndihmuar zjarrfikësit që po luftojnë me flakët dhe do të dërgojmë edhe 100 forca të Gardës për të ndihmuar evakuimet nga toka” thotë David Bolden i Gardës Kombëtare të Kalifornisë. Guvernatori i Kalifornisë ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për zonat e goditura, duke mundësuar lëvrimin e fondeve emergjente për të mbështetur qendrat e përkohëshme të strehimit si dhe përpjekjet për të luftuar zjarret. “Ka pasur nevoja për evakuim nga spitalet, po ashtu nga objekte që ofrojnë shërbimeve specifike. Na është dashur të koordinojmë operacionet dhe të ndajmë burimet për të garantuar që këta individë, këta banorë me nevoja specifike dhe të tjerë të marrin ndihmën që u nevojitet”, thotë Marc Ghilarducci i Shërbimeve Emergjente për shtetin e Kalifornisë. Zyrtarët paralajmërojnë se ka rrezik që flakët të zhvendosen drejt jugut të shtetit, pasi në këtë stinë fillojnë erërat Santa Anna, një fenomen natyror i njohur për rrezikun e intensifikimit të zjarreve. Autoritetet lokale në Kaliforni kanë njoftuar banorët të jenë të përgatitur për evakuime të shpejta nëse zonat e tyre janë të rrezikuar.

Artikulli paraprakKATALUNJË, PEZULLOHET PAVARËSIA. PUIGDEMONT: MUNDËSI PËR DIALOG
Artikulli tjetërLIROHET I ARRESTUARI PËR MBI 5 TONË DROGË