SHBA, Martin Shkreli dënohet nga gjykata për mashtrim

Me siguri e mbani mend Martin Shkrelin, shqiptari më i urryer në SHBA sepse rriti çmimin e një ilaçi. Një gjykatë federale në Bruklin të Nju Jorkut shpalli fajtor Martin Shkrelin, ish-ekzekutiv i një kompanie farmaceutike, i akuzuar për mashtrim me letrat me vlerë. Prokurorët e kanë akuzuar Shkrelin se ka mashtruar vazhdimisht investitorët. Ky vendim i jep fund një gjykimi që zgjati pesë javë, në Gjykatën Federale në Brooklyn. Prokurorët e akuzuan Shkrelin se kishte manipuluar paratë në fondet e investimeve Elea Capital, MSMB Capital dhe MSMB Healthcare, si dhe kur ishte shef ekzekutivi i firmës Retrophin, që ai e kishte themeluar në vitin 2011. Pala mbrojtëse këmbëngul se investitorët i kishin marrë paratë e tyre, madje kishin dalë me shumë fitim. Jashtë gjykatës, Shkreli e quajti procesin kundër tij “një gjueti shtrigash me përmasa epike”. Ai rrezikon deri në 20 vite burg, por dënimi mund të jetë shumë më i vogël. Ish-ekzekutivi i firmës bioteknologjike njihet më shumë për bujën që shkaktoi rritja prej tij shumëfish e çmimit të një ilaçi mjaft të kërkuar si dhe për komentet fyese që ai u bënte kritikëve në mediat sociale. Shkreli, 34 vjeçar, u shndërrua në një person mjaft të urryer kur ngriti çmimin e një ilaçi që shpëtonte jetë, Daraprim, gjatë kohës që ishte Drejtor Ekzekutiv në Turing Pharmaceuticals. Ndërsa aktakuzat e ngritura ndaj tij kishin të bënin me rolin e tij në menaxhimin e dy fondeve gjatë viteve 2009-2014, para se të merrte udhëheqjen e Turing Pharmaceuticals.