Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesa (SHÇBA) ka vënë në pranga një oficer policie mbi të cilin rëndon akuza e ‘vjedhjes duke shpërdoruar detyrën’ si dhe ‘falsifikimi i formularëve’.

Polici 39-vjeçar me inicialet E.S mbante detyrën e O.P.GJ pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor në Korçë.

Sipas SHÇBA ndalimi i oficerit erdhi pas një denoncimi mediatik ndaj tij. Ndërkohë në cilësin e provës oficerit i është sekuestruar një telefon që i përkiste një shtetasi të arrestuar më parë.

Njoftimi i plotë i SHÇBA:

SHÇBA ndaloi oficerin e Policisë të dyshuar për vjedhje duke shpërdoruar detyrën

Pas një denoncimi mediatik, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) arrestoi në flagrancë punonjësin e Policisë, N/Komisar E.S., 39 vjeç, banues në Korçë.

Ai ishte me detyrë O.P.Gj. pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.
Akuzat ndaj tij janë për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikim i formularëve”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua telefoni që i përkiste një shtetasi të arrestuar më parë, e sipas vendimit të Prokurorisë oficeri duhet t’ja kthente në cilësinë e sendit të bllokuar në momentin e ndalimit.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë e pezulloi dhe nisi menjëherë ecurinë disiplinore për shkelje të rëndë të detyrës ndaj oficerit të vënë nën akuzë.

SHÇBA falënderon dhe nxit median dhe qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor.