Polici Berhan Bajrakurtaj është liruar nga seksioni për të mitur në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër. Gjatë seancës për rivlerësim për Bajrakurtaj gjykata vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” duke bërë që ai të lirohet.

Edhe në këtë seancë polici Bajrakurtaj i cili akuzohet për ngacmim seksual të një 15 vjeçareje në njësinë Gruemirë ka mohuar këto akuza duke i quajtur si shpifje.

Portalet publikuan një video skandal të policit. Pretendimet e personit që ka bërë denoncimin janë se Berhan Bajrakurtaj ka ngacmuar seksualisht vajzën e saj 15 vjeçare, nxënëse në shkollën 9-vjeçare të Gruemirës. Pas arrestimit të policit dhe deri më tani denoncuesi mbeti anonim dhe askush nuk ka shkuar në polici për të denoncuar Berhan Bajrakurtaj.

Në këto kushte nga momenti i arrestimit dhe deri më tani në gjykatë nuk është vërtetuar se polici në fjalë ka ngacmuar seksualisht ndonjë vajzë 15-vjeçare.

Vetë polici para gjykatës por edhe gjatë marrjes në pyetje ka mohuar akuzat ndaj tij ndërsa ka pranuar se videot janë të tijat por thjeshtë ato video janë bërë në banesën e tij jashtë orarit të punës dhe se nuk ia ka dërguar asnjë personi siç pretendohet.

Edhe kësaj here Berhan Bajrakurtaj ka deklaruar se celularin e tij pak ditë më përpara e ka patur në një servis celularësh ndërsa ka pohuar gjithashtu se nuk ka ditur që ta përdor edhe aq mirë dhe se dikush ka abuzuar me telefonin e tij.

Polici ende nuk e ka idenë se si mund të kenë dalë videot nga celulari i tij ndërsa mohon kategorikisht se ka bërë ngacmime ndaj ndonjë vajze të mitur.

Sipas policit e gjithë kjo ngjarje është stisur për ta dëmtuar atë qoftë në punën e tij por edhe në familje dhe se është e qëllimshme. Më 14 shkurt të këtij viti gjykata e shkallës së parë në Shkodër shpalli moskopetencën dhe ia kaloi çështjen seksionit për të mitur brenda kësaj gjykate.

Në masën e rivlerësimit nga seksioni për të mitur, avokati mbrojtës Xhelal Bajraktari por edhe prokurori i çështjes Vat Staka kërkuan “detyrim paraqitje” duke qenë se ndaj policit Bajrakurtaj nuk ka prova të mjaftueshme për ta lënë në “arrest me burg”.