Një sherr mes dy grupeve të rinjsh në Cërrik ka përfunduar me përdorimin e armëve dhe për pasojë plagosjen e dy personave.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Yllit” në Cerrik, ku është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi G.K., 20 vjeç, banues në fshatin Malasen Cerrik, si dhe është plagosur lehtë në dorë shtetasi J.R., 22 vjeç, banues në Cerrik.

Të dy ndodhen në spitalin kirurgjik Elbasan, jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet e shpejta të policisë dhe grupit hetimor dyshohet se shtetasi B.H së bashku me shtetasin I.F, po udhëtonin me një automjet tip Golf që drejtohej nga shtetasi A. Zh.

Shtetasi B.H, ka parë shtetasin G.K me të cilin kishte një konflikt të mëparshëm për motive të dobëta, ka zbritur nga automjeti dhe është konfliktuar fizikisht me të.

Në konflikt është përfshirë edhe shtetasi J.R, shoku i shtetasit G.K, si dhe dy shokët e shtetasit B.H, shtetasit A.Zh dhe I.F.

“Në konflikt e sipër dyshohet se shtetasi B.H , ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit G.K, i cili është plagosur në këmbë, si dhe është plagosur në dorë shoku i tij shtetasi J.R” sqaron policia.

Policia ka kapur dhe shoqëruar në Komisariat drejtuesin e mjetit shtetasin Angjelo Zhelegu, i cili ka larguar nga vendngjarja autorin e dyshuar dhe shokun e tij.

Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.