Gjashtë persona janë proceduar penalisht nga policia vendore e Shkodrës pas operacionit në plazhin e Velipojës për lirimin e hapësirave publike të zëna forcërisht me shezlone.

Policia e Shkodrës bën me dije në njoftimin e saj se janë proceduar shtetasin M.B 50 vjeç, P.Gj 44 vjeç, L.M 47 vjeç, V.M 31 vjeç, E.M 24 vjeç dhe N.M 61 vjeç, të gjithë banues në Velipojë. Gjashtë shtetasit sipas policisë po ndiqen në gjendje të lirë.

I gjithë ky operacion njofton policia e Shkodrës ka ardhur në kuadër të masave për sigurimin e rendit dhe goditjen e paligjshmërisë dhe për lirimin e hapësirave publike në plazhin e Velipojës duke proceduar kështu 6 shtetas për pushtimin e këtyre hapësirave.

Operacioni është bërë në bashkëpunim me prokurorinë e Shkodrës me mbështetjen e FNSH-së duke qenë se hapësirat publike, vijon njoftimin policia janë zënë pa lejen e autoriteteve lokale duke ushtruar këtë aktivitet në kundërshtim me ligjin dhe duke mos paguar taksat dhe tatimet.

Në këtë mënyrë efektivët kanë bërë të mundur zhbllokimin e këtyre hapësirave në zonën e rërës duke sekuestruar në total në cilësinë e provës materiale 1625 shezlone në të gjithë plazhin e Velipojës.

Procedimi penal ndaj 6 shtetasve filloi pasi është konstatuar se kishin pushtuar hapësirat publike në bregdet duke vendosur një numër të konsiderueshëm shezlonesh pa paguar detyrimet përkatëse dhe pa u pajisur me dokumentacionin përkatës për aktivitetin e tyre.

Shtetasit e proceduar kanë në ngarkim veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” si dhe “Pushtimi i tokës”.

Mbi 150 forca policie zbarkuan në plazhin e Velipojës duke liruar hapësirat publike të zëna forcërisht.

Gjatë këtij operacioni të policisë pati debate mes drejtorit të policisë vendore Vehbi Bushati dhe pronarët e shezloneve, këta të fundit një pjesë pretendonin se kanë aplikuar që me 15 maj dhe se nuk kanë marrë asnjë përgjigje në një kohë që ushtrojnë aktivitetin e tyre prej vitesh atje.

Pavarësisht pretendimeve policia ka bërë sekuestrimin e 1625 shezloneve dhe procedimin e 6 shtetasve.

 

Artikulli paraprakMË SHUMË SIGURI NË PLAZHET E LEZHËS
Artikulli tjetërPD NIS TAKIME, DËRGON DEPUTETËT NË BAZË