90 RASTE DHUNË NË FAMILJE NË QARKUN SHKODËR DHE 13 TË TRAFIKIMIT. Në qarkun e Shkodrës shifrat e trafikimit të qënieve njerëzorë dhe dhunës në familje janë alarmante. Vetëm nga shifrat zyrtare 90 raste janë dhunë në familje dhe 13 raste janë trafikim i qënieve njerëzore. Statistikat bëhen të ditura nga drejtoria rajonale e policisë të Qarkut Shkodër dhe prefektura.

Këto ditë ka nisur në Shkodër ‘‘Java kundër trafikimit të qënieve njerëzore’’. Janë zhvilluar një sërë aktivitetesh sensibilizuese por nga sa shihet është e vështirë që ky realitet i hidhur të përmbyset. Vetë institucionet dhe shoqatat që merren me mbrojtjen dhe rehabilitimin kryesisht të grave të trafikuara dhe të dhunuara pranojnë se gjëndja është e vështirë. 13 raste të trafikimit u publikuan nga Prefektura, institucion i cili pranoi edhe një rritje të dhunës ndaj grave. Nga ana tjetër shoqata “Gruaja tek Gruaja” deklaroi se Shqipëria tashmë është burim i trafikimit të qënieve njerëzore dhe jo vetëm vend tranzit duke qenë nën mbikqyrje të departamentit amerikan të shtetit. Për të mos mjaftuar 90 raste të dhunës në familje janë të konfirmuara nga policia e Shkodrës vetëm për këtë vit. Nga janari e deri më tani uniformat blu të qytetit verior raportojnë për raste nga më të ndryshmet, kryesisht dhuna ushtrohet ndaj grave por nuk përjashtohen të miturit apo mosha e tretë që dhuhohen nga fëmijët e tyre apo të afërm. Më të prekurat janë zonat rurale ku nuk ka një zhvillim shumë të madh dhe ka ende tabu. Varfëria, papunësia, mentaliteti, abuzimi me alkoolin, lojrat e fatit apo arsimimi jo i duhur janë disa prej shkaqeve kryesore. Në të njëjtën linjë janë edhe psikologët të cilët herë pas here japin alarmin për këtë fenomen. Në këtë mënyrë krahasuar me vitin e kaluar ka një rritje edhe tek dhuna në familje. Këto janë vetëm shifrat zyrtare sepse realisht rastet si të trafikimit të qënieve njerëzore por edhe dhunës në familje apo dhunës ndaj grave janë më të shumta. Është e vështirë qoftë për policinë por edhe për institucionet e tjera për tu identifikuar. Shifrat janë të frikshme dhe shtimi i këtij fenomeni duhet të shqetësojë gjithsecilin.

 

Artikulli paraprakGJËNDET I VRARË 63 VJEÇARI
Artikulli tjetërQËLLOHET ME ARMË AUTOMJETI