Kryetari i grupit të PS-së Taulant Balla përshëndeti vendimin e ministrit të Jashtëm Gent Cakaj për të shkarkuar nga detyra ambasadoren shqiptare në Athinë Ardiana Hobdari dhe stafin për nivel të ulët të performancës dhe kërkoi sot në Kuvend, që kjo qasje të vijojë edhe në seli të tjera diplomatike.

“Përshëndes vendimin e ministrit të Jashtëm Gent Cakaj, një vendim i fortë por i domosdoshëm për të rivendosur gjërat në rregull. Kjo qasje e tij të vijojë dhe në konsullata dhe ambasada të tjera ku shërbimi nuk është ai që duhet” tha Balla.

Kujtojmë që vitin e kaluar Hobdari mori masë disiplinore për skandalin e zhdukjes së 100 pasaportave, teksa konsulli në Janinë Pervin Gjikuria u shkarkua. Ndërkohë që gjykata e Tiranës në datë 3 qershor të këtij viti pushoi çështjen e vjedhjes së pasaportave në Greqi, ku nën akuzë ishte dhe ambasadorja shqiptare Ardiana Hobdari.