Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra dy gjyqtarë, Shkëlzen Selimin dhe Bledar Abdullain. Komisioni e nisi punën me dhënien e vendimit për gjyqtarin e Tiranës, Bledar Abdullai, i cili u shkarkua nga detyra, pasi bashkëjetuesja nuk justifikon 400 mijë euro.

Ndërsa i dyti që u shkarkua sot ishte gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi. Gjatë seancës dëgjimore KPK tha se Selimi u vlerësua vetëm për pastërtinë e figurës dhe jo për pasurinë apo aftësitë profesionale.

Sipas KPK Selimi kishte dy kontakte të papërshtatshme të cilat me sa duket i kushtuan detyrën si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Vetë gjyqtari e quajti procesin të manipuluar e të paragjykuar që në fillim dhe u largua nga seanca dëgjimore. Selimi nuk mori pjesë as në seancën e sotme të vendimmarrjes.

Sot është një ditë e ngjeshur për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pasi janë planifikuar që të zhvillohen disa seanca. Në orën 10:00 do të zhvillohet seanca dëgjimore për Medi Bicin, gjyqtar pranë Gjykatës së Lartë.

Në orën 12:00 do të zhvillohet seanca dëgjimore me Gentjan Medjan, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative Shkalla e Parë Tiranë.

Në orën 14:30 është parashikuar seanca dëgjimore me Besnik Muçin, prokuror pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda.

Dhe në fund në orën 16:00 është seanca dëgjimore me Brunilda Kadin, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.