Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin pranë Prokurorisë së Tiranës, Shpëtim Kurti.

Prokurori, i cili ishte njëkohësisht edhe kandidat për KLP iu nënshtrua filtrit të vettingut sa i përket anës profesioniale, pasurisë dhe integritetit. Trupa gjykuese e KPK përbëhej nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Roland Ilia.

Sipas ILDKPKI, Prokurori Shpëtim Kurti s’ka bërë deklarim te saktë të pasurisë dhe ka kryer fshehje të saj. Gjithasthu KPK duke iu referuar DSIK thotë se prokurori Kurti është i papërshtatshëm për të vijuar detyrën sepse ka kontakte me persona të përfshirë në krim dhe tendecë të jetë pjesë e krimit.

“Sipas DSIK, subjekti është i pa përshtatshëm për të vijuar detyrën, pasi ka kontakte me persona të përfshirë në krim dhe dyshohet se ka tendencë të jetë pjesë e krimit. Ai ka kontakte të papërshtatshme në më shumë se një rast dhe Drejtoria e Sigurimit te Informacionit te Klasifikuar (DSIK) mund të vihet nën presionin e krimit”- thotë KPK.

Sipas trupës gjykuese të KPK, Prokurori s’ka deklaruar kontaktet e papërshtatshme në formularin e dekriminalizimit edhe pse ka patur kontakt me një person me precedent penal me inicialet H.M.

Në lidhje me këtë person, prokurori kishte deklaruar se janë nga i njëjti fshat dhe i vetmi kontakt që kishte pasur me të ishte që ishin shkëmbyer një herë në një lokal.

Prokurori Shpëtim Kurti e ka filluar karrierën në vitin 2002 dhe që nga ajo kohë ka shërbyer në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Më herët, ka mbajtur postin e Zv.drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës.