Arrestohen në Itali 6 persona me akuzën e shitjes së lëndëve narkotike. Sipas mediave lokale, të arrestuarit janë mbajtur nën hetim që nga viti 2016, ndërsa origjina e tyre është nga Shqipëria, Rumania si dhe nga Italia.

Arrestimi i tyre është kryer në zonat Molise, Abruzzo dhe në Puglia.

Nuk bëhet me dije identiteti i trafikantëve, por raportohet se ata së bashku funksiononin përmes grupit të strukturuar në shitjen e lëndëve narkotike të llojeve kokainë, heroinë si dhe substancave të tjera të ndaluara.

Nga raportimi i mediave italiane theksohet fakti se ka dyshime të forta se ky grup furnizohej nga një shqiptar tjetër, i cili kishte veprimtari në fushën e trafikimit të drogës.

Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të shitjes së drogës, pasi dyshohet se pas të arrestuarve, fshihen edhe persona të tjerë.