Shkatërrohet karteli shqiptar i drogës, arrestohen 10 persona

Policia italiane ka asgjesuar së fundmi jnë linjë të trafikut të drogës e cila menaxhohej nga dy familje shqiptare në veri të vendit fqinj. Mediat italiane njoftojnë se falë një hetimi disamujor të autoriteteve lokale, të koordinuara nga prokuroria e lokalitetit Bursto Arsicio, kanë rënë në pranga 10 persona. Në gjurmët e policisë së pari ka rënë 37-vjeçari shqiptar Dorian Daja, i cili transportonte sasi të mëdha droge, kryesisht kokainë dhe heroinë. Vetëm gjatë një muaji autoritetet kanë zbuluar se Daja kishte qarkulluar kokainë me vlerë 630 mijë euro, ndërsa në 8 muaj një sasi me vlerë 2 milionë e 374 mijë euro. Pasi siguronte kokainë nga Holanda dhe heroinë nga vendet e Ballkanit, 37-vjeçari ua dorëzonte sasitë dy familjeve, të cilat vepronin në lokalitetet Komo, Molano, Areco, Prato, Lenjano dhe Vareze. Bëhet fjalë për një territor të rajonit të Lombardisë ku çdo muaj lëvizin kuintalë heroinë dhe kokainë të kontrolluar nga ai që mediat italiane e kanë pagëzuar si “karteli shqiptar”. Dy familjet kishin si bazë një kafene në lagjen Komazina të Milanos dhe vlerën e të ardhurave, që llogaritet deri në 250 mijë euro në muaj, e shënonin rregullisht në një regjistër, tashmë në duart e karabinierëve. Autoritetet italiane deklarojnë se zona e sipërpërmendur përbën një treg të pasur për konsumimin e lëndëve narkotike e ku grupet kriminale shqiptare janë afirmuar pasi prej vitesh kanë siguruar kanale furnizimi nga Holanda dhe Ballkani.