Një rrjet i paligjshëm i tregtisë së arit që ishte shtrirë në të gjithë Greqinë është shkatërruar nga policia në një operacion të gjatë që nisi të martën në Atiki, Selanik dhe në qytetin e Volosit.

Sipas burimeve të policisë, operacioni i madh është ende në zhvillim e sipër, ndërkohë që sasi të mëdha ari, argjendi, bizhuteri, para kesh dhe armë janë konfiskuar.

Policia ka arrestuar 59 persona, përfshirë një 51-vjeçarin Dimitri Rikardo Milonas, që fitoi shumë përparësi në kulmin e krizës financiare greke me reklama televizive për dhjetra dyqane pengjesh që ai kishte në zotërim për tregtinë e arit dhe argjendit.

Milonas dhe të dyshuarit e tjerë të arrestuar, tregtarë ari dhe të mallrave të vjedhura, janë akuzuar për blerjen e arit dhe argjendit nga një bandë me rreth 20 shtetas të huaj që vidhnin shtëpitë.

Një pjesë e arit dhe argjendit që ishte marrë nga Milonas shkrihej dhe dërgohej kontrabandë jashtë vendit në Turqi dhe Gjermani.

Në vitin 2016, policia greke shkatërroi një bandë romësh që kishin kryer më shumë se 500 grabitje dhe bashkëpunonin me dyqanet e argjendit dhe bizhuterive.

Që nga fillimi i krizës së borxhit në fund të vitit 2009, që e çoi Greqinë në prag të falimentit, shumë grekë blenë ar dhe argjend duke pasur frikë nga humbja e kursimeve të tyre në para, në rast të rikthimit të parasë vendase apo ‘goditjes’ së depozitave