Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj doli sot në një deklaratë për media ku foli për procedimet penale që kanë filluar nga Task Forca Antikorrupsion në Portin e Durrësit.

Ajo njoftoi se janë dhënë masa disiplinore për 28 doganierë dhe pesë specialistë. Gjonaj njoftoi se janë evidentuar 17 vepra penale për shpërdorime të detyrës për të cilat janë vënë nën hetim 29 persona.

Task Forca Antikorrupsion këtë javë ushtroi kontroll në Degën Doganore Durrës, ku verifikoi respektimin e kërkesave ligjore në sektorin e operacioneve doganore në Portin e Durrësit,

monitorimin e procedurave të magazinimit të përkohshëm, të terminalit të trageteve dhe të anijeve,bazuar kjo në legjislacionin doganor në fuqi, dhe kontratat e lidhura në përfundim të procedurave të prokurimit.

Në përfundim të kontrollit task forca evidentoi keto shkelje:
Në përfundim të kontrollit janë rekomanduar 28 masa disiplinore.

1. Për kryetarin e Degës Doganore Durrës, masë disiplinore “pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë, përfshirë rritjen në shkallën e pagës për një periudhë deri në dy vjet”;

2. Për 18 doganierë, masë disiplinore “mbajtja deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë deri në gjashtë muaj”;

3. Për 5 Specialistët e Zyrës së Rekuperimit me Forcë të Borxhit Doganor, masë disiplinore “mbajtja deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë deri në gjashtë muaj”;

4. Si dhe “vërejtje” për 4 përgjegjës sektori pranë sektorit të operacioneve doganore, pranë zyrave të terminaleve si dhe të përpunimit të trageteve
Ndërkohë, nga strukturat që luftojnë korrupsionin në Policinë e Shtetit,

gjatë javës që lamë pas, janë evidentuar 17 vepra penale në fushën e korrupsionit, dhe shpërdorimit të detyrës, ku 29 persona janë preceduar penalisht”, deklaroi Gjonaj.

Ajo i bëri thirrje nëpunësve të këtij sektori të kryejnë me përgjegjshmëri punën e tyre.