Mbledhja e Këshillit bashkiak të Shkodrës ka dështuar dy herë brenda ditës. Fillimisht ishte lajmëruar për t’u zhvilluar në orën 11:00 të 20 marsit por nuk u arrit të realizohej për shkak se nuk u plotësua kourumi prej 26 këshilltarësh që është minimum nga 51 që janë në total.

Këshilltarët e tjerë që erdhën pritën për më shumë se një orë në sallën e këshillit por sërish ajo mbledhje nuk u zhvillua. Disa prej këshilltarëve u telefonuan por përsëri për mbi një orë nuk u arrit të plotësohet numri prej 26 këshilltarësh.

Disa prej këshilltarëve të pranishëm e quajtën të papranueshme këtë sjellje të kolegëve të tyre që nuk denjojnë të vijnë në mbledhjet e këshillit bashkiak. Ata u shprehën se në rast se nuk kanë mundësi të përfaqësojnë qytetarët një herë në muaj që janë këto mbledhje atëherë le të largohen për t’i lënë vendin të tjerëve ose të mos pranojnë të futen në lista.

Duke parë dështimin herën e parë atëherë sekretaria e këshillit bashkiak njoftoi se mbledhja ishte lënë për në orën 17:00 me shpresën se kësaj here do të zhvillohej. Sërish një pjesë shkuan për të marrë pjesë por pjesa tjetër përsëri nuk ishin të pranishëm.

Kështu edhe mbledhja e pasdites dështoi pasi nuk u arrit sërish të plotësohet kourumi prej 26 këshilltarësh. Përsëri ata që kishin ardhur pritën gjatë por mbledhja nuk u arrit që të zhvillohet duke dështuar për të dytën herë brenda ditës në pak orë.

Qartazi ky dështim është një akt i turpshëm që ofron këshilli bashkiak i Shkodrës, natyrshëm ata këshilltarë që nuk marrin pjesë në mbledhje duke treguar një papërgjegjshmëri të madhe në sjelljen e tyre. Kjo nuk është hera e parë që mbledhjet e këshillit nuk zhvillohen për shkak se anëtarët nuk vijnë për të marrë pjesë.

Edhe më përpara mbledhje të rëndësishme kanë dështuar dhe kjo histori tashmë vijon prej kohësh duke qenë një prej këshillave më të papërgjegjshëm.

Ditën e kaluar një pikë e rëndësishme ishte ajo e ndihmës ekonomike e cila nëse nuk miratohet krijon problematikë tek mijëra familje të varfra që presin atë shumë të vogël parash për të siguruar për pak ditë bukën e gojës ose për të larë borxhet.