Shifra të larta të personave të infektuar me COVID-19 vijojnë të raportohen nga Ministria e Shëndetësisë për qarkun Shkodër. Së fundmi janë raportuar edhe 10 raste të reja me koronavirus, ku katër raste i përkasin bashkisë Shkodër, 3 raste i përkasin bashkisë Fushë-Arrëz, dy raste të reja me COVID-19 janë regjistruar në Malësinë e Madhe dhe një rast i ri është shfaqur në bashkinë pukë ku prej disa javësh nuk kishte raste të reja.

Nga ana tjetër është shënuar edhe një tjetër viktimë, bhet fjalë për një të moshuar 83 vjeçare e cila vuante edhe nga sëmudnje të tjera shoqëruese. Aktualisht, numri i të infektuarve aktivë me koronavirus është rritur ndjeshëm.

Nga të dhënat e bëra publike nga Ministria e Shëndetësisë bëhet e ditur se 338 persona janë aktivë në nivel qarku, ku 18 prej tyre janë të hospitalizuar në spitalet COVID në Tiranë dhe 320 janë të izoluar në banesa. Fatmirësisht ka patur një rritje të numrit të personave të cilët janë shëruar nga koronavirusi. Në 24 orët e fundit, edhe pesë persona janë shëruar duke bërë kështu që numri I të rikuperuarve të jetë 451 persona.

Pavarësisht situatës së krijuar, grupi i taskforcës në Shkodër vijojnë kontrollet tek personat të cilat janë të karantinuar në banesa. Ato të cilët konstatohen nga Policia se nuk kanë zbatuar rregullat e karantinës gjobiten sipas ligjit në fuqi. Ndërkohë, drejtoria e tatimeve, AKU dhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor në bashkëpunim me Policinë vijojnë periodike tek bizneset për të kontrolluar nëse po zbatohet me rigorozitet protokolli i sigurisë së vendosur nga Ministria e Shëndetësisë që frenon përhapjen e këtij infeksioni.